"Big cities in my eyes" - photography Meti Spahiu
Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit.
Në TATÌ SPACE po çelim një rubrikë të re të postimeve, mbi fotografët e rinj shqiptarë, emergjentë në fushën e Fotografisë së Arkitekturës. Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. I lindur në Kamenicë të Kosovës, ku jetoi deri në moshën 25 vjeçare, Meti u shpëngul për të studiuar dhe jetuar në Vjenë, Austri. Rrugëtimin e tij si arkitekt e shikon të lidhur ngushtë me fotografinë. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit. Siç thotë ai, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që të tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur të shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj . Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë kurrë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.
City gate Aderklaaerstrasse - Vienna, © Meti Spahiu
Fernheizwerk Arsenal - Vienna, © Meti Spahiu
Harry SeidlerTurm - Vienna, © Meti Spahiu
JanisJoplin Promenade - Vienna, © Meti Spahiu
Leonard-Bernstein-Strasse - Vienna, © Meti Spahiu
Maintrain Station -Vienna, © Meti Spahiu
Olympiahalle 6020 Innsbruck, © Meti Spahiu
Strasse der Wiener Wirtschaft - Vienna, © Meti Spahiu
The stairs school “Eusebio da Guarda”, © Meti Spahiu
Via Dell’annunciata Milano, © Meti Spahiu
Kartoline Urimi nga TATI SPACE
TATÌ SPACE Photography Center ju uron Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2021. Merry Christmas and Happy New Year 2021
TATÌ SPACE Photography Center ju uron Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2021!
Ndërsa viti 2020 po largohet, duam të ndajmë një urim falenderimi me bashkëpunëtorët tanë dhe komunitetin e TATÌSPACE. Ky vit që kaluam ishte i veçantë dhe i vështirë për të gjithë ne. Por për TatìSpace, ky ishte një vit produktiv. Në maj të 2020 ne lançuam platformën e parë online të Fotografisë Urbane dhe Arkitekturës www.tatispace.com në gjuhën shqipe dhe anglisht, ku prezantuam një seri rubrikash të reja. Artikujt e parë në Blogun tonë janë per Mjeshtërit Ndërkombëtar të Fotografisë Urbane; Gabriele Basilico, Walker Evans, Berenice Abbott, Eugene Smith, Henri Cartier Bresson, etj. Në vitin në vazhdim, dëshirojmë të pasurojmë më tej galerinë e fotografëve ndërkombëtar klasikë dhe kontemporanë. Gjithashtu do të lançojmë rubrikën e re të Fotografëve Shqiptarë të Arkitekturës dhe Fotografisë Urbane Kontemporane. Jemi të kënaqur që këtë vit krijuam një komunitet fotografësh të rinj të talentuar nga vende të ndryshme të botës, të cilët morën pjesë në 2 eventet e para online: Ekspozitën Fotografike me temën “Qyteti im” dhe “Qyteti në Verë”. Në vitin e ardhshëm dëshirojmë të vazhdojmë këtë traditë të organizimit të Ekspozitave të hapura online me tema të ndryshme të qytetit. Duke shpresuar në pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin tuaj, urojmë që 2021 të jetë një vit i mbarë dhe produktiv në punën tuaj!
Urimet më të mira!
nga TATÌ SPACE Photography Center
Nëse jeni të interesuar të paraqitni projektin tuaj fotografik, apo të shkruani në Blogun tonë mbi Tema të ndryshme të Fotografisë Urbane dhe Arkitekturës, na kontaktoni.
Bëhuni Pjesë e Komunitetit TATÌ SPACE
Ekspozite Fotografike QYTETI NE VERE 2020
Ekspozitë Fotografike Online “QYTETI NË VERË” 2020
TatìSpace prezanton Ekspozitën e dytë fotografike online me temën “QYTETI NË VERË”. Në këtë kohë të vështirë pandemie për të gjithë globin, i kërkuam fotografëve nga e gjithë bota, profesionist dhe amator, të moshave dhe profesioneve të ndryshme, ti përgjigjeshin temës së qytetit në verë. Vera e këtij viti ishte e pazakontë për të gjithë ne. Në mungesë të lirisë të lëvizjes dhe problemeve të shumta që solli pandemia, jetët tona nuk ishin të njëjta. Shumica prej nesh u detyrua të mos udhëtojë si zakonisht por të qëndrojë në të njëjtin vendbanim, duke u adoptuar në një raport të ri me qytetin dhe bashkëqytetarët e tij. Në këtë periudhë, fotografia mbeti një bashkëshoqëruese besnike dhe një pasqyruese vizuale e denjë e përjetimeve tona në këtë marëdhënie të re të krijuar midis qytetarit, shoqërisë dhe territorit. Duke shpresuar se do të shijoni në këtë Ekspozitë copëza të përjetimeve të ndryshme të fotografëve pjesëmarrës, falenderojmë të gjithë artistët që iu përgjigjën ftesës sonë.
Ju Faleminderit!
TatìSpace
Autore: Rozafa Shpuza
Titulli: “Pritja”
Vendi: Qyteti Shkodër
Përshkrimi: Pandemia bëri që qyteti të presë me ankth hapat e njerëzve, buzagazin, ngutin, bisedat. Cdo gjë ra në heshtje dhe karriget e boshatisuara presin me shpresë se do të zhurmojnë përsëri nga njerëzit, të cilët do të ulen të shkujdesur për të pirë një kafe.
© Rozafa Shpuza “Pritja”
© Genta Karanxha “Late Night Walk”
Author: Michelle Mayer
Title: “Border Crossing”
Vendi: Border of Hoboken and Jersey City, New Jersey
Përshkrimi: Më pak makina që udhëtojnë në rrugët e qytetit tani të pambushura, ka nënkuptuar ajër më të pastër dhe një rritje drastike të këngës së shpendëve këtë verë. Këtu, në atë që është normalisht një kryqëzim tepër i zënë -- i zënë me makina dhe këmbësorë poshtë dhe një hekurudhë lart -- dy pëllumba relaksohen, pavarësisht se për momentin vështrojnë një fotograf kurioz ndërsa ajo kalon kufirin midis Jersey City dhe Hoboken, New Jersey.
© Michelle Mayer “Border Crossing”
Author: Rudina Aleksi
Titulli: “Braktisje e qytetit”
Vendi: Toronto, Kanada
Përshkrimi: Foto është marrë nga Ishulli Qëndror i Torontos. Ishulli ndodhet 10 min larg me anije nga bregu i Torontos dhe ofron pamje spektakolare të siluetës së Torontos. Çdo njeri e ndjen dëshirën për të braktisur qytetin ndonjëherë.
Rudina Aleksi është diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, në degën Arkitekturë, me specializim në Urbanistikë, 1995. Ajo ka punuar në Urbanistikën e Qytetit të Fierit. Që prej 22 vitesh Rudina banon në Toronto, Kanada. Firmat arkitekturore ku ka punuar përfshijnë PDA Architects dhe HOK Canada. Që prej 11 vitesh punon me BH Architects.
© Rudina Aleksi “Braktisje e Qytetit”
Autor: Albert Cmeta.
Titulli: “Fëmijët e gjejnë lojën kudo”
Vendi: Ish fusha e aviacionit, Tiranë
Përshkrimi: Fëmijët e lagjes tek ish fusha e aviacionit në mungesë të lojrave për këtë grupmoshë, gjetën një mënyrë zbavitëse për të luajtur, duke kërcyer mbi shatërvane, meqënëse ishte verë, freskoheshin njëkohësisht :-). Fëmijët kanë aftësi ta kthejnë gjithçka në lojë...
© Albert Cmeta “Fëmijët e gjejnë lojën kudo”
Autore: Doriana D. Musaj
Titulli Foto 1: “Muri i lotëve”
Logoja e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet, si vulë e krimit të kryer, atë të shkatërrimit të Teatrit në 17 Maj 2020. Vera e parë pa Teatër.
Titulli Foto 2: “Kartolinë Tirana 2020”
I fundit imazh i Sahatit të qytetit pa kullat si hijezues të kohës së tij. Kartolinë klasike e Tiranës bardhë e zi...
Titulli Foto 3: “Grafiti”
Sheshi i Teatrit të Kukullave në mesditë korriku, i preferuar i adoleshentëve, të cilët grafitin e përdorin për të ulëritur atë çka konvecionalja i pengon.
Autore: Loreta Çapeli
Titulli: “Pak Corbusier në Qytet”
Vendi: Tiranë, Shqipëri
Loreta Çapeli është arkitekte, pedagoge e Historisë së Arkitekturës Botërore dhe asaj Shqiptare, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik, Tiranë. Fushat e saj të kërkimit janë Historia e Arkitekturës Botërore dhe Shqiptare, kritika dhe analiza arkitekturore e tipologjive të ndërtimit, rivlerësimi dhe restaurimi i monumenteve të trashigimisë kulturore.
Autore: Miranda Haxhi
Titulli: “Një ditë vere në kodrat kurorë të Tiranës”
Vendi: Tirana, Shqipëri
Miranda Haxhi është arkitekte urbaniste, ajo ka punuar në Institutin Kombëtar të Urbanistikës në Plane Zhvillimi të Qyteteve dhe Bregdetit.
© Miranda Haxhi “Një ditë vere në kodrat kurorë të Tiranës”
© Alketa Misja, Himara Naten
Henri Cartier-Bresson
Henri Cartier-Bresson është një fotograf francez, një ndër figurat më me influencë të shekullit të 20-të. Ai konsiderohet si pioner i fotografisë spontane të rrugës (candid street photography), babai i fotoreportazhit modern, i cili solli një estetikë dhe praktikë të re, duke bërë që fotografia e reportazhit të pranohej si një formë arti. Emri i tij asociohet me aparatin e dorës Leica 35mm dhe me konceptin e “momentit deçiziv”.
Henri Cartier-Bresson
(Francë 1908-2003)
Portret Henri Cartier-Bresson me kameran e tij Leica M3, © Jane Bown, Paris 1957
Henri Cartier-Bresson është një fotograf francez, një ndër figurat më me influencë të shekullit të 20-të. Ai konsiderohet si pioner i fotografisë spontane të rrugës (candid street photography), babai i fotoreportazhit modern, i cili solli një estetikë dhe praktikë të re, duke bërë që fotografia e reportazhit të pranohej si një formë arti. Emri i tij asociohet me aparatin e dorës Leica 35mm dhe me konceptin e “momentit deçiziv”. Në ditët e sotme ku jemi të rrethuar nga një oqean imazhesh fotografike, shkrepim dhe shkarkojmë në mënyrë dixhitale me mijëra fotografi në rrjetet sociale, trashëgimia e Henri Cartier-Bresson jo vetëm nuk është vjetëruar, por përkundrazi ajo na mëson mjaft gjëra mbi teknikën dhe etikën e fotografisë. Henri Cartier-Bresson konsiderohej një artist i përgjegjshëm për profesionin dhe shoqërinë ku jetonte.
Ai është artisti avant-garde, i riu rebel, gjuetari i kafshëve të egra në Afrikë, ish i burgosur i luftës në kampet naziste, fotoreporteri i ngjarjeve kryesore të pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëthemelues i agjensisë fotografike Magnum, një figurë e cila revolucionarizoi imazhin fotografik. E megjithatë ai qëndroi deri në fund një figurë mjaft e thjeshtë, që preferonte të mos shfaqej dhe të mos jepte intervista. Ai ishte personi që qëndronte në heshtje në pritje të momentit perfekt për të fotografuar, i cili zgjidhte me kujdes shkrepjen, dhe që preferonte të njihte në avancë ngjarjet dhe njerëzit që do të fotografonte. Në trazirat studentore të vitit 1968 në Paris, me gjithë ngjarjet e vrullshme, dëshmitarët tregojnë se Bresson shkrepi me një ritëm 4 foto në orë. Siç thotë ai vetë: ‘Mua nuk më intereson fotografia, por më interesojnë njerëzit’. Për afro gjysmë shekulli ai fotografoi ngjarjet kryesore të shekullit 20-të si Luftën e Spanjës, fundin e Luftës së Dytë Botërore, Gandin pak minuta para se të vritej në 1948, ditët e para të regjimit komunist në Kinë në 1949, Indonezinë e sapodalë nga kolonializmi. Ai ishte fotografi i parë perëndimor i cili u lejua të fotografonte në Bashkimin Sovietik gjatë Luftës së Ftohtë. Merita e Breson është se krijoi imazhe të bukura dhe poetike, që portretizojnë rëndësinë e vendit dhe të kohës. Ashtu siç shprehet: “Qëllimi im ishte të shprehja esencën e një fenomeni në një imazh të vetëm”, që shpreh idenë e tij mbi “momentit deçiziv” që e shoqëroi gjithë jetën.
© Henri Cartier-Bresson, Heeres, France 1932
© Henri Cartier-Bresson, “Mbrapa Stacionit St.Lazare”, Paris France, 1932
© Henri Cartier-Bresson, “Brenda dyerve rrëshqitëse të arenës së luftës me dema” Valencia Spain, 1933
Fillimet në Fotografi
Henri Cartier-Bresson e filloi fotografinë në 1931, atëherë kur bleu kameran e sapodalë Leica me film 35 mm, të cilës nuk iu nda për afro gjysëm shekulli. Ai i përket brezit të fotografëve të parë evropianë të cilët eksploruan në maksimum potencialin krijues të kameras së vogël të dorës. Për Bresson – “Fotografia për mua është një skicë e shpejtë, dhe sekreti është të harrosh që mban një kamera”. Dëshira e tij fillestare ishte të bëhej piktor, (pasi kishte refuzuar kërkesën e familjes për të vazhduar traditën e biznesit familjar të tekstileve). Influencat kryesore në formimin e tij vizual, të cilat u shprehën në fotografinë e tij të mëvonshme, ishin gjeometria formale e pikturës së Rilindjes dhe serendipiti i Surrealizimit, së bashku me një shpirt të fortë aventure. I influencuar nga shkolla e piktorit kubist Lohte, Henri zhvilloi një interes për pikturën klasike me proporcione rigoroze matematikore. Më vonë ai do të thoshte se cdo gjë që dinte për fotografinë, e kishte mësuar nga Lohte. Për Bressonin, kërkimi i rregullit gjeometrik në kompozimin në viewfinder, ishte një ndër kriteret kryesore që ai zgjidhte gjatë proçesit fotografik. Ai asnjëherë nuk i priste fotot por insistonte që ato të shfaqeshin ashtu siç i kishte shkrepur, duke paraqitur madje edhe kornizën e zezë të zhvillimit të negativit. "You shoot properly while it's there", duke përforcuar kështu idenë se fotoja duhet shkrepur siç duhet që në momentin e kompozimit të saj në viewfinder. Në këtë mënyrë Henri Cartier-Bresson ndihmoi në kredibilitetin e fotoreportazhit, të pacënuar nga editimi.
© Henri Cartier-Bresson, “Dy fëmijë në rrugët e ngushta me diell” Seville Spain, 1933
© Henri Cartier-Bresson, “Një grup personash përpara një muri me dritare të vogla”, Madrid Spain, 1933
Influenca e dytë në fotografinë e Bresson vjen nga një rrymë më pak racionale siç është Surrealizimi, me të cilën ai ra në kontakt në rini gjatë takimeve me figurat kryesore në “Cafe de la Place Blanche” në Paris. Prej Surrealizimit ai përvetësoi filozofinë e spontanes, shansit dhe intuitës. “"Për mua kamera është një bllok skicash, një instrument i intuitës dhe spontanitetit, mjeshtër i çastit, i cili në terma vizual, pyet dhe vendos njëkohësisht". Për Henri Cartier-Bresson, kamera Leica 35mm ishte instrumenti më i përshtatshëm për të shprehur krijimtarinë e tij artistike. Ndonëse Bresson ishte në kërkim të spontanes, kompozimet e tij nuk janë produkt i serendipitit, por ai e zgjidhte me kujdes skenën dhe priste derisa të gjithë elementet e duhur të shfaqeshin në viewfinder, për të fiksuar në film momentin e deçiziv.
@ Henri Cartier-Bresson, “Një grup fëmijësh luajnë mes rrënojave” Seville Spain, 1933
© Henri Cartier-Bresson, “E Diel në brigjet e lumit Seine” France 1938
Fotot e tij ndonëse pasqyrojnë një ngjarje apo moment historik, ato janë entitete të pavarura artistike. Duke kërkuar të bukurën në gjërat e zakonshme, ai lidhi artin me fotojurnalizmin. Fotografitë e tij të para i përkasin periudhës 1932-1935 gjatë udhëtimeve të tij në Itali, Spanjë, Marok, Meksikë, të cilat u paraqitën në disa ekspozita fotografike. Fotografitë e kësaj periudhe konsiderohen si më të mirat e Bresson dhe të historisë së fotografisë moderne të inspiruara nga Surrealizmi.
© Henri Cartier-Bresson, “Kurorëzimi i mbretit George VI” London England", 12 May 1937.
Bresson në kinematografi
Gjatë qëndrimit në New York në 1935, Bresson njohu Paul Strand i cili e nxiti të merrej me kinematografi. Midis viteve 1936-1939 ai punoi si asistent i regjizorit francez Jean Renoir në prodhimin e filmit Une Partie de Campagne (A Day in the Country) dhe La Règle du Jeu (The Rules of the Game). Në 1937 Bresson prodhoi filmin e parë dokumentar mbi ndihmën mjekësore në Luftën e Spanjës të titulluar Return to Life. Ndonëse Breson nuk i përkiste asnjë partie politike, orientimi i tij antifashist e çoi të punonte për gazetën e majtë Ce Soir ku njohu fotoreporterë të tjerë me të njëjtat interesa, si Robert Capa dhe David “Chim” Seymour, me të cilët pas Luftës krijoi agjensinëMagnum. Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore në 1939, Bresson iu bashkua njësisë së ushtrisë për film dhe fotografi. Në 1940 ai u kap nga gjermanët dhe u burgos në kampet e punës së detyruar. Pas dy tentativave të pasuksesshme arratisje, ai arriti të shpëtojë herën e tretë, pas së cilës kohë punoi në ilegalitet. Pas Luftës, Bresson iu kthye kinemtografisë me drejtimin e filmit La Retour, mbi rikthimin e personave të zhvendosur nga lufta. Bresson i rikthehet përsëri kinematografisë në fund të viteve ’60 me Impressions of California (1969) dhe Southern Exposures (1971). Ashtu siç thotë vetë, Bresson iu largua bërjes së filmit pasi nuk e tërhiqte drejtimi i aktorëve dhe mungesa e spontanitetit. Por nga kinematografia mësoi narrativën dhe çastin ekspresiv. Bressonit i njihet merita se ndikoi në zhvillimin e zhanrit cinema verite.
© Henri Cartier-Bresson, “Në qendër të qytetit, Manhattan NewYork” USA 1947
Bresson në Magnum
Pas ekspozitës së Bresson në MOMA New York në 1946 dhe udhëtimit të tij në Amerikë i cili konkludohet me një libër fotografik, Bresson ndërmerr të kryejë me kohë të plotë profesionin e fotoreporterit duke ndjekur këshillën e Robert Capas, i cili kishte kuptuar rëndësinë e këtij profesioni në shoqërinë e pas-Luftës. Së bashku me Robert Capa, David Seymour, George Rodger themeluan në vitin 1947 agjensinë e parë fotografike kooperative Magnum. Organizata i ofronte gazetave dhe revistave të kohës, mbulimin me fotografi të ngjarjeve kryesore nga fotoreporterët me të talentuar, duke ruajtur autorsinë dhe lirinë e tyre të zgjedhjes. Nën kupolën e Magnum Bresson veshi petkun e fotoreporterit dhe fotografoi ngjarjet kryesore në Indi, Kinë, Indonezi, Egjipt. Këto fotografi u botuan në formën e disa librave midis viteve 1952 dhe 1956. Më i njohuri prej tyre është ai i botuar në vitin 1952 me titullin “Images à la sauvette”, i perkthyer ne anglisht “The decisive moment”, i cili i referohet idesë kryesore të Bresson mbi fotografinë- "ai çast kur, me një qartësi të madhe, pamja e subjektit zbulon në thelbin e saj domethënien e ngjarjes, pjesë e së cilës është, organizimi më domethënës i formave"
© Henri Cartier-Bresson, “Refugjatët që ushtrohen në kamp për të larguar letargjinë dhe dëshpërimin” Punjab Indi, 1947
© Henri Cartier-Bresson, “Gra muslimane duke u lutur në drejtim të diellit që ngrihet prapa Himalajeve” Kashmir Indi, 1948
© Henri Cartier-Bresson, “Turrmat kapin trenin që transporton hirin e Gandhit, për ti dhënë lamtumirën e fundit udhëheqësit të tyre” Delhi Indi 1948
© Henri Cartier-Bresson, Washington DC, SHBA, 1957.
© Henri Cartier-Bresson, “Shitja e arit në Ditët e Fundit të Kuomintang, Shangai” Kina 1949
© Henri Cartier-Bresson, “Shkollë Fillore, Moskë Bashkim Sovjetik” 1954
© Henri Cartier-Bresson, Scanno Abruzzo, Itali 1951
© Henri Cartier-Bresson, Rruga Mouffetard, Paris 1954
Midis viteve 1963-1965 Bresson fotografon në Kuba, Meksikë, Indi. Librat e mëvonshëm të tij janë France (1971), The Face of Asia ( 1972), About Russia (1974). Me shpirtin e tij nomad ai u bë dëshmitar i ngjarjeve kryesore të pas Luftës së dytë botërore, të kalimit të pushteteve. Ai fotografoi njerëzit e thjeshtë me po atë rëndësi që fotografoi njerëzit e famshëm të artit dhe politikës.
© Henri Cartier-Bresson, Cyclades Greqi 1961
© Henri Cartier-Bresson, Berlin 1963
© Henri Cartier-Bresson, “Muri i Berlinit”, 1963
© Henri Cartier-Bresson, Prizren 1965
© Henri Cartier-Bresson. Ahmadabad Indi, 1966
© Henri Cartier-Bresson, “Ritual varrimi, Tokio Japoni” 1965
© Henri Cartier-Bresson, Brie France, 1968
© Henri Cartier-Bresson, “Simiane la Rotonde” France 1969
© Henri Cartier-Bresson, “Demostrata e Studentëve”, Paris, June 1968.
Në fillim të viteve ‘70, Bresson shkëputet plotësisht nga fotografia dhe i përkushtohet pikturës. Në vitin 2003, Bresson së bashku me bashkëshorten Martin Franck, fotografe e agjensisë Magnum, dhe vajzen e tyre, themelojnë Fondin Henri Cartier-Bresson. Negativët e Bresson janë në pronësi të Fondacionit dhe të agjensisë Magnum. Ai la një trashigimi prej afro gjysëm millioni negativa, të shkrepur gjatë një periudhe rreth 70 vjeçare.
Magnum Agency
https://www.magnumphotos.com/photographer/henri-cartier-bresson/
Fondacioni Henri Cartier-Bresson
Libra të përzgjedhur nga Henri Cartier-Bresson
Ekspozitë Fotografike QYTETI IM 2020
Ekspozitë Fotografike Online QYTETI IM 2020
Tatì Space prezanton ekspozitën e parë fotografike në platformën e saj online, me temën QYTETI IM. Jemi të kënaqur që ftesës sonë të hapur për pjesëmarrje iu përgjigjën 20 autorë, të profesioneve, kombësive dhe moshave të ndryshme: fotografë profesionist dhe amatorë, arkitektë, urbanistë, studentë, shkrimtarë, artistë nga Shqipëria, Kosova, SHBA, Spanja, Italia, etj. të cilët sollën interpretime të ndryshme të qytetit në fotografi. Qyteti, ky organizëm sa i kompikuar dhe shumëdimensional, ofron mënyra të ndryshme të pasqyrimit në fotografi. Për disa autorë, ai është qyteti i arkitekturës kontemporane, kompozimeve, ngjyrave dhe estetikës të pëlqyeshme. Për të tjerë, ai është qyteti ku modernja bashkëjeton në mënyrë harmonike me traditën shumëvjeçare të ndërtimit. Përkundrazi, për arkitektët dhe urbanistët vendas, kjo harmoni e dëshiruar nuk ekziston në peisazhin urban shqiptar, por e reja “bërtet, dhunon, përçmon”. Për disa autorë, qyteti është vendi melankonik, meditues, i largët dhe i afërt, ku qytetari është i pafuqishëm në vendimarrje. Disa nga fotot pjesëmarrëse janë marrë gjatë periudhës së karantinimit Covid19, e cila e vendosi qytetin në një sfidë të re, ndërsa profesionistët dhe artistët përballë pikëpytjeve të reja. Shpresojmë që shikuesit e kësaj ekspozite, ashtu sikurse ne, të shijojnë fotografitë pjesëmarrëse, dhe të gjejnë në të copëza të qytetit të tyre. Duke i falenderuar fotografët për pjesëmarrjen e tyre, urojmë të takohemi në eventet e ardhshme të TatìSpace.
Autori: Sokol Mitrojorgji
Titulli: “Kontakt”
Vendi: Tirane, Shqipëri
Përshkrim: Pika kontakti vizuale në mjedisin urban që krijojnë përjetime të larmishme të mjedisit të ndërtuar.
© Sokol Mitrojorgji “ Kontakt”
Autor: Sabina Darova
Titulli: “Të kapur për dore”
Vendi: Asti, Itali
Përshkrimi: Jetoj prej 26 vjetësh në Itali, në qytetin e Astit, aty ku tradita ecën krah për krah me të renë. Qyteti ruan brënda tij muret romake, rrugica dhe ndërtesa prej shekujve XII e më lart, si të reja. Kujdeset dhe i mbron ato me shumë dashuri. Ky është mesazhi që dëshiroj të përcjell në këtë ekspozitë.
© SabinaDarova “Të Kapur Për Dore”
Autore: Rozafa Shpuza
Titulli: “Vetmi e ujshme”
Vendi: Liqeni i Shkodrës
Përshkrimi : Gjatë dimrit Shkodra u përmbyt nga shirat e shumtë që ranë. Fotoja është shkrepur në një nga lokalet e Shirokës. Një tavolinë dhe një karrige e vetmuar, zhytur në ujrat e liqenit, si për të na treguar se jemi të pafuqishëm përball tekave të natyrës.
© Rozafa Shpuza “Vetmi e Ujshme”
Autor: Dardan Vukaj
Titulli: “Skena”
Vendi: Pedonalja, Teatri Kombëtar, Tirana, Shqipëri
Përshkrimi: Fotoja është shkrepur gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar. Vazhdimi i shkatërrimit të nisur natën e 17 majit, manifestimi i pafuqisë që shpesh herë qytetarët nuk arrijnë ta kenë në mbrojtje qytetin e tyre.
© Dardan Vukaj “Skena”
Autore: Alketa Misja
Titulli: “Përballë Piramidës”
Vendi: Tirana, Shqipëri
Alketa Misja eshte arkitekte urbaniste dhe fotografe nga Shqiperia. Ajo perdor fotografine si nje mjet per te investiguar transformimet urbane.
website: www.alketamisja.com , Facebook, Instagram
© Alketa Misja “Përballë Piramidës”
Autore: Doriana Musaj
Titulli: “Overlapping city”
Vendi: Tirana, Shqipëri
Përshkrimi: Banorët dhe banesat e Tiranës, në konflikt mes tyre, për të mbijetuar në hapësirën urbane që po shteron.
© Dorina Musaj “Overlapping City”
Autor: Reald Keta
Titulli: “Qyteti Magjik”
Vendi: Tiranë, pranë ETC, Shqipëri
Përshkrimi: Fotoja pasqyron ish-parkingun pranë ETC, në një prej rasteve të permbytjeve nga rreshjet e shirave. Imazhi është i përmbysur.
© Reald Keta “Qyteti Magjik”
Autore: Evis Cerga
Titulli 1: “Edhe në Bunker ka Lule”
Titulli 2: “Kur Hiqen Maskat”
Vendi: Tiranë, Shqipëri
Evis Cerga është përkthyese, autore e librit me skica tregime “Rruga Miqësia”. Evisi e përdor fotografinë si një nxitje dhe inspirim për tregimet e saj. Ajo shkruan skica të shkurtëra në blogun e Shqiptarja.com
© Evis Cerga “Edhe Në Bunker Ka Lule”
© Evis Cerga “Kur Hiqen Maskat”
Autor: Milicent Fambrough
Titulli 1: “Aztec Theatre”
Titulli 2: “Convention center”
Titulli 3: “Pearl Brewery”
Titulli 4: “The Bakery”
Vendi: San Antonio Texas, SHBA
Përshkrimi: Unë jam një artist dhe shkrimtar bashkëkohor nga San Antonio Texas. Këto janë të gjitha monumente të njohura në qytetin tim të lindjes San Antonio. Ne jemi njerëz miqësorë. Ne flasim me fqinjët dhe ndihmojmë të tjerët në nevojë. Unë e dua qytetin tim.
Autor: Loreta Çapeli
Titulli 1: “2000 Vjet Shtresëzim Urban”
Titulli 2: “Kërcënim”
Titulli 3: “Konkurencë”
Vendi: Durrës, Shqipëri
Përshkrimi: Qyteti reflekton shtresëzim urban, por shpesh herë e reja bërtet, dhunon, përçmon.
Loreta Çapeli është arkitekte, petagoge e Historisë së Arkitekturës Botërore dhe asaj Shqiptare, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik, Tiranë.
© Albert Cmeta “Buzëmbrëmje mbi qytet”
Autore: Miranda Haxhi
Titulli: “Day and Night”
Vendi: Tirana, Shqipëri
Përshkrimi: Fotot janë shkrepur nga dritarja e shtëpisë time gjatë kohës së karantinës. Kontrasti midis betonizimit të pakontrolluar, dhe peisazhit të bukur natyror që rrethon Tiranën si një kurorë e gjelbër, mbetet sfida e zhvillimit urban të Tiranës.
Miranda është arkitekte urbaniste, ajo ka punuar në Institutin Kombëtar të Urbanistikës me plane Zhvillimi të Qyteteve dhe Bregdetit.
Autor: Vllasi Foto
Titulli: "The opposite summer"
Vendi: Sheshi i Flamurit, Vlorë, Shqiperi.
Përshkrimi: Duhet të ishin ditë pushimi, por moti nuk ishte dakort, fatmirësisht kisha kamerën me vete.
© Vllasi Foto “The Opposite Summer”
Autor: Fitim Haziri
Titulli: "Afër"
Vendi: Prishtina, Kosovo
Përshkrimi: Në një qytet jo të qetë, kur dielli perëndon, sytë kanë mundësi të shohin diellin dhe ngjyrat e tij në dritaret e ndërtesave të saj
© Fitim Haziri “Afër”
Autore: Catalina Aranguren
Titulli: “Me qenin tim”
Vendi: Jersey City, SHBA
Përshkrimi: Kjo fotografi është bërë në Prill, pasi Coronavirus i bëri të gjithë të futen në shtëpitë e tyre. Asnjë nuk ishte përreth, rrugët ishin bosh, që duket edhe më tepër nga dyfishimi në reflektimin e xhamave. Unë kam veshur një maskë dhe po eci me qenin tim në lagje.
© Catalina Aranguren “With my dog”
Autor: Josep Sánchez
Titulli: “Tram Glories”
Vendi: Sheshi Glories /Tregu Els Encants, Barcelona, Spanjë
Përshkrimi: Kjo fotografi është marrë në afërsi të Kullës Agbar, vetëm një hap larg Tramvajit.
© Josep Sanchez “Tram Glories”
Autor: Andi Papastefani
Titulli: “Yellow Corner”
Vendi: Rr. Kavajës, Tiranë, Shqipëri
Facebook Sketches of the Cities - Andi Papastefani
© Andi Papastefani “Yellow Corner”
Autor: Glendi Kurtiqi
Titulli: “Muzg Flakërues”
Vendi: Tirana, Shqipëri
© Glendi Kurtiqi “Muzg Flakërues”
“Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në Ekspozitën QYTETI IM 2020”
Walker Evans
Walker Evans është fotografi amerikan që ka influencuar më shumë se kushdo tjetër fotografinë moderne dokumentuese të shekullit të 20-të. Me natyrën e tij antikonformiste, ai refuzoi pikëpamjen piktorialiste të fotografisë artistike mbizotëruese të kohës, dhe ndërtoi një koncept të ri artistik bazuar në përshkrimin e fakteve të zakonshme në mënyrë poetike dhe të detajuar. Subjektet e tij fotografike ishin ndërtesat, skenat e rrugës, reklamat, vitrinat e dyqanëve, kalimtarët, kultura e automobilit, dhe kryesorja përshkrimi i jetës së amerikanëve gjatë Periudhës së Depresionit, që përbëjnë memorien kolektive të Amerikës.
Walker Evans
(ShBA 1903-1975)
Walker Evans, selfportrait 1930
Walker Evans është fotografi amerikan që ka influencuar më shumë se kushdo tjetër fotografinë moderne dokumentuese të shekullit të 20-të. Me natyrën e tij antikonformiste, ai refuzoi pikëpamjen piktorialiste të fotografisë artistike mbizotëruese të kohës, të mbështetur nga proponenti kryesor Alfred Stieglitz, dhe ndërtoi një koncept të ri artistik bazuar në përshkrimin e fakteve të zakonshme në mënyrë poetike dhe të detajuar. Fotografia e tij krahasohet me prozën e Hemingway, në të cilën vendosja e fjalëve është aq e kontrolluar dhe preçize, sa një lëvizje e vogël e tyre, e nxjerr tregimin jashtë kontekstit. Evans është cilësuar si fotografi me ndjeshmërinë e poetit dhe saktësinë e kirurgut… Duke ndjekur në mënyrë koherente dhe të pavarur këtë strategji artistike, ai ndërtoi një seri të gjerë fotografike që përshkruan vendet e zakonshme vernakulare, që përbëjnë memorien kolektive të Amerikës së viteve 30-50. Subjektet e tij fotografike ishin ndërtesat, skenat e rrugës, reklamat, vitrinat e dyqanëve, kalimtarët, kultura e automobilit, dhe kryesorja përshkrimi i jetës së amerikanëve të varfër gjatë Periudhës së Depresionit. Evans është fotografi i parë të cilit iu kushtua një ekspozitë fotografike personale në Muzeun e Artit Modern New York në vitin 1938. Ai ishte një figurë e pavarur dhe autoritare në fotografi. Për 2 dekada ai punoi si editor dhe shkrimtar për revistat Time dhe Fortune, ku hartonte layout-in dhe shkrimin shoqërues të fotografive të tij. Në vitet e fundit të karrierës ai dha mësime fotografie në Universitetin e Yales. Fotografia e tij influencoi një brez të tërë fotografësh, si Robert Frank, Lee Friedlander, Garry Winogrand, Diane Arbus, Bechers, dhe gjini të tjera përveç fotografisë, si: kinematografinë, teatrin dhe letërsinë.
© Walker Evans, Truck and Sign New York, 1930
Vitet e para
Walker Evans filloi të fotografojë në moshën 25 vjeçare, me aparatin fotografik të dorës Kodak, gjatë kohës së qëndrimit në Paris, ku studionte letërsi franceze në universitetin e Sorbonës. Evans aspironte të bëhej shkrimtar, por me kthimin e tij në New York në 1928, ai këmbeu ëndrren e shkrimtarit me profesionin e fotografit. Fotografitë e para janë skena të jetës amerikane dhe mjediseve urbane: rruget e New Yorkut, ndërtesat Viktoriane, ura e Brooklyn-it, kompozime abstrakte të arkitekturës së re që po lindte, reklamat e rrugës dhe vitrinat e dyqanëve. Një nder motivet që përsëritet vazhdimisht në fotografitë e Evans janë shkronjat dhe shenjat në sinjalistikën dhe reklamat e rrugës. Ai dokumentoi qytetin me syrin e një historiani dhe antropologu, duke veçuar atë çfarë ishte autentike amerikane. Influencat kryesore ne fotografinë e tij ishin: Eugene Atget dhe August Sander; ndërsa shkrimtari i preferuar: Gustave Flaubert, nga i cili pervëtësoi thënien: “Artisti duhet të jetë si Zoti në Krijim, ai duhet të ndihet kudo, por të mos duket”.
© Walker Evans, Brooklyn Bridge New York, 1929
© Walker Evans, U.S. Rubber Sign, New-York, 1928-1929
© Walker Evans, Movie Poster, New York, 1930
© Walker Evans, Parked Car, Small Town Main Street, 1932
© Walker Evans, Street Scene with Telephone Pole and Lines, Provincetown Massachusetts, 1931
© Walker Evans, Chrysler Building, 1930
© Walker Evans, Construction Shack, New York, 1929
Havana
Në fillim të viteve ’30, Evans dërgohet në Kuba për të fotografuar mbi gjëndjen e punëtorëve gjatë diktaturës së Gerardo Machado. Këtu ai fotografoi lagjet e varfëra, policët, lypësit e rrugës, punëtoret e portit, duke zhvilluar anën humane të fotografisë së tij. Fotografitë u botuan në vitin 1933 në librin “Krimet e Kubes”. Gjatë qendrimit këtu, Evans u shoqërua me Ernest Hemingway, të cilit i la 46 printime fotografike nga frika e konfiskimit të tyre nga autoritetet kubane. Këto printime u gjendën në Havana në vitin 2002, ku u paraqitën në një ekspozitë fotografike.
© Walker Evans, Cinema Havana, 1933
© Walker Evans, Havana Dock Worker, 1932-1933
© Walker Evans, Squatters Village Cuba, 1933
Vitet e Depresionit të Madh
Gjatë viteve 1935-1937 Evans punoi në programin qeveritar New Dealt Ressetlement (më vonë të quajtur Farm Security), për të dokumentuar gjëndjen e fermerëve të jugut gjatë periudhës së Depresionit të Madh. Në këtë projekt ai zhvilloi stilin e tij artistik për të dokumetuar faktet në mënyrë të detajuar, preçize dhe neutrale, duke përdorur kamera me format të madh 8x10 inch. Një përmbledhje e punëve të tij u shfaq në Muzeun e Artit Modern në vitin 1938 të titulluar “American Photographs”, e cila është ekspozita e parë personale që MOMA i ka dedikuar një fotografi. Libri me të njëjtin titull me 100 fotografi të Evans të shoqëruar me esen kritike nga Lincoln Kirstein, mbetet sot një ndër librat më me influencë në historinë e fotografisë moderne.
© Walker Evans, Roadside Store between Tuscaloasa and Greensboro, Alabama-1935
© Walker Evans, Easton Pennsylvania, 1935
© Walker Evans, Breakfast Room at Belle Grove Plantation White-Chapel, Louisiana, 1935
© Walker Evans, Houses and Billboards Atlanta, 1936
© Walker Evans, View of Easton Pennsylvania, 1936
© Walker Evans, Graveyard and Steel Mill Bethlehem, Pennsylvania, 1935
© Walker Evans, Birmingham Steel Mill and Workers Houses, 1936
Let Us Now Praise Famous Men
Gjatë vitit 1936, Evans ndërmorri një udhëtim në Jug, së bashku me shkrimtarin dhe mikun e tij James Agee, për të dokumentuar jetën e vështirë të tre familjeve fermerë të prekura nga kriza ekonomike. Projekti, i cili u refuzua për botim nga revista Fortune, u publikua në vitin 1941 në formën e një libri me fotografi të Evans dhe tekst nga Agee, të titulluar “Let Us Now Praise Famous Men”. Fotografitë e këtij projekti mbeten imazhe ikone të Amerikës të prekur nga Depresioni i Madh.
© Walker Evans, Coal Miner's House West-Virginia, 1936
© Walker Evans, Farmers Kitchen Hale-County Alabama, 1936
© Walker Evans, Sharecropper Hale-County Alabama, 1936
© Walker Evans, Church Organ and Pews, Alabama, 1936
© Walker Evans, Negro Church South Carolina, 1936
© Walker Evans, Barber Shop Vicksburg Mississippi, 1936
© Walker Evans, Country Store and Gas Station, Alabama, 1936
© Walker Evans, Roadside View Alabama Coal Area Company Town, 1936
© Walker Evans, Roadside Stand near Birmingham, Alabama, 1936
© Walker Evans, Window Display Bethlehem Pennsylvania, 1935
© Walker Evans, Penny Picture Display, Savannah 1936
Portrete kalimtarësh
Nga viti 1938-1941, Walker Evans fotografoi banoret e New Yorkut në metro, të kapur pa mendje nga aparati i tij Contax 35mm, i fsheshur nën pallto. Seria fotografike botohet shume vite më vonë (1966), nën titullin “Many are called”. Ashtu siç shprehet ai, donte ti fotografonte njerëzit “when the guard is down and the mask is off”. Motivi i kalimtarëve rastësore, të kapur pa mendje, është një motiv i përsëritur në punën e Evans. Gjatë kohes që punonte për Fortune në 1946, ai fotografoi me Rolleiflex një seri portretesh punëtorësh në rruget e Çikagos, të cilat botohen në 2 faqe revistë nën titullin “Labour Anonymous”.
© Walker Evans, Subway Portrait, 1938-1941
© Walker Evans, Subway Portrait, 1938-1941
© Walker Evans, Labor Anonymous, Fortune November 1946, pp152-153
Vitet në Revistën Time dhe Fortune
Evans punoi për revistatTime (1943-1945), dhe më pas për Fortune (1945-1965) si foto editor duke prodhuar mbi 400 foto dhe 46 artikuj. Evans kishte kontroll të plotë mbi botimin e fotografive të tij, ai zgjidhte vetë subjektet, shkrimin shoqërues dhe layout-in e revistes. Pasi kishte fotografuar Amerikën në vitet e saj më të veshtira, tani Evans fotografon lulëzimin e saj si supefuqi botërore, kulturën e konsumizmit dhe perhapjen e automobilit.
© Walker Evans, Burlesque Theater, Chicago 1946
© Walker Evans, Views of Pedestrians Uniontown, Maryland, 1946
© Walker Evans, Pedestrians Uniontown Maryland, 1946
© Walker Evans, Shoppers Randolph Street, Chicago 1946
© Walker Evans, Untitled Chicago, 1946
© Walker Evans, Lamp on Table, Evans Apartment New-York, 1946
© Walker Evans, Details of Clapboard House, 1960
Vitet e Fundit
Ne vitin 1965, Evans filloi të japë mësime fotografie në shkollën e artit dhe dizajnit të Universitetit të Yales-it. Gjatë viteve ’70 ai eksperimentoi me fotografinë me ngjyra, dhe kameran Polaroid SX-70, me një sasi të pakufizuar filmash nga Kodak. Këto fotografi janë studime interesante forme dhe ngjyrash mbi motivin e përhershëm tek Evans: arkitekturën, portretet dhe shenjat.
© Walker Evans, New-York Streets, 1957-1959
© Walker Evans, New-York Streets, 1957-1959
© Walker Evans, Telephone Pole and Red Barn, 1974
Fotografitë e Walker Evans ndodhen ne Koleksionet e:
Libra të përzgjedhur të Walker Evans
Përgatiti për TatìSpace, A.M.
W. Eugene Smith
W. Eugene Smith është një fotograf amerikan, i cili njihet si babai i foto esesë në editorialin amerikan të viteve ‘40-’50. Ai krijoi modelin dhe standartet e ndjekura për një kohë të gjatë. Eugene Smith punoi për disa revista të kohës si: Newsweek, Life, dhe për agjensinë Magnum si freelancer.
W. Eugene Smith
(Sh.B.A 1918-1978)
Portret i W. Eugene Smith. Fotografi © Fran Erzen
W. Eugene Smith është një fotograf amerikan, i cili njihet si babai i foto esesë në editorialin amerikan të viteve ‘40-’50. Ai krijoi modelin dhe standartet e ndjekura për një kohë të gjatë. Eugene Smith punoi për disa revista të kohës si: Newsweek, Life, dhe për agjensinë Magnum si freelancer. Foto esetë e tij më të famshme janë (sipas rendit kronologjik): Lufta e Dytë Botërore (1943), Doktori i Provincës (1948), Infermierja Mami (1951), Fshati Spanjoll (1951), Misionari Schwitzer (1954), Pittsburg (1955), Jazz Loft (1965), Minamata (1971).
Gjatë karrierës së tij në fotografi, Eugene Smith dallohet për humanizmin, nevojën për të njohur subjektet mire, kërkesën ndaj vetes për të arritur perfeksionin dhe anti-konformizmin ndaj diktatit dhe kufinjve të vendosur nga masmedia. Më shumë sesa një foto reporter, ai është regjizor për historitë që tregon dhe një poet i fotografisë nëpërmjet përdorimit të dritës dhe chiaro-scurove.
US Marine WW2. Foto © W. Eugene Smith
Spital, Philippine Cathedral (Island Leyte). Foto © W. Eugene Smith
“The walk to Paradise garden” 1946, Foto © W. Eugene Smith
“Doktori i Provinces, Ernest Ceriani”, 1948, Foto © W. Eugene Smith
Foto esetë e tij më të rëndësishme që trajtojnë temën e urbanizimit dhe pasojave që krijohen nga industrializimi i pakontrolluar janë; Pittsburg (1955) dhe Minamatas (1971).
Eugene Smith nisi fotografimin e Pitsburgut në vitin 1955, kur botuesi dhe shkrimtari Stefan Lorant i kërkoi një cikël fotografik për të ilustruar një libër mbi 100 vjetorin e qytetit. Smith e pa porosinë si një projekt personal. Ai jo vetëm shtriu kohëzgjatjen e projektit nga tre muaj në tre vite, por zgjeroi tematikën duke fotografuar jo vetëm modernitetin e qytetit dhe industrinë kryesore të çelikut por edhe tema të tjera që nuk i përkisnin reklamës qeveritare, si kushtet e punëtorëve, lagjet e varfra, emigrantët, jeta e zezakëve, duke i paraprirë trazirave të viteve ‘60. Në këtë projekt Smith ndërtoi një cikël të pasur fotografik të përbërë nga 17 mijë imazhe fotografike dhe inçizime audio, një pjesë e vogël e të cilave janë publikuar.
Interier Mellon National Bank. Foto © W. Eugene Smith
Greva e Sindikates se Punetoreve. Foto © W. Eugene Smith
City Council Chamber, Pittsburg, © Photography W. Eugene Smith
Femije duke luajtur ne Rrugen ‘Colwell and Pride’, Hill District. Foto © W. Eugene Smith
Pittsburg, 1955, Foto © W. Eugene Smith
Sixth Street Bridge, Allegheny River. Foto © W. Eugene Smith
Punetor çeliku. Foto © W. Eugene Smith
Hekurudha, Lumi Monongahela. Foto © W. Eugene Smith
Pittsburg, 1955 Foto © W. Eugene Smith
Pittsburg 1955 Foto © W. Eugene Smith
Në serinë Minamata (1971-1973), Eugene Smith fotografon banorët e zonës Minamata, një qytet bregdetar në Japoni i prekur nga nje sëmundje e rëndë e shkaktuar nga mërkuri i derdhur në ujërat e zonës prej mbetjeve industriale të fabrikës Chisso (gjigandi kimik i industrisë së vendit). Në vitin 1972, Smith u sulmua nga Kompania Chisso për të ndërprerë publikimin e projektit mbi sëmundjen Minamata. Ky sulm i shkaktoi atij plagë të rënda dhe humbjen e shikimit. Foto eseja u publikua në vitin 1975, dhe fotoja e tij kryesore ishte ‘Tomoko Uemura në Vaskë’, e shkrepur në 1971, ku tregohet një mama duke larë në një vaskë tradicionale japoneze vajzën e saj të deformuar nga sëmundja. Fotoja tërhoqi vëmendjen e publikut ndaj sëmundjes Minamata dhe pasojave të helmimit të mjedisit. Fotografitë e Smith ishin prova kryesore në gjyq kundër kompanisë Chisso, dhe ky qe rasti i parë në Japoni ku një kompani bëhet përgjegjëse për ndotjen e ambjentit dhe jetët e dëmtuara, gjë që e bëri Smith një hero kombëtar në Japoni.
Minamata, 1972, Foto © W. Eugene Smith
Minamata 1971, Foto © W. Eugene Smith
Goi, Tokyo. Demonstrues ne Fabriken Chisso, 1971 Foto © W. Eugene Smith
Demostrues kunder Kompanise Chisso Chemical duke demostruar para fabrikes ne Tokyo, 1971. Foto © W. Eugene Smith
Pas projektit Minimata, Eugene Smith u kthye në Amerikë, por nuk mundi dot të fotografojë më. Ai dha mësime në universitet dhe rregulloi arkivën e tij, deri në vitin 1978, kur ndërroi jetë nga një infarkt në zemër. Eugene Smith besonte në fuqinë e fotografisë se mund të ndryshojë botën. Në 1980 u krijua Fondi W Eugene Smith i cili financon projektet fotografike humanitare që nuk mund të financohen nga media masive, duke kontribuar në rritjen e zërit të pavarur të fotografëve.
Fondi Eugene Smith: https://www.smithfund.org/humanistic-photography
Libra të përzgjedhur të W. Eugene Smith
Berenice Abbott
Berenice Abbott është një fotografe amerikane e njohur për dokumentimin e arkitekturës dhe jetës metropolitane të New Yorkut me të gjitha kontrastet e tij, në vitet ’30 të depresionit te madh. Ajo fotografoi me kamera 8x10 vendet kryesore të New Yorkut me arkitekturën e re që po lindte, por edhe vendet që po zhdukeshin nga zhvillimi.
Berenice Abbott
(Sh.B.A 1898-1991)
Berenice Abbott, Portrait
Berenice Abbott është një fotografe amerikane e njohur për dokumentimin e arkitekturës dhe jetës metropolitane të New Yorkut me të gjitha kontrastet e tij, në vitet 1930 të depresionit te madh. Berenice Abbott njihet për stilin dokumentaresk, jashtë cdo subjektivizmi dhe piktorializmi. Ajo fotografoi me kamera 8x10” vendet kryesore të New Yorkut me arkitekturën e re që po lindte, por edhe vendet që po zhdukeshin nga zhvillimi. Influenca e saj kryesore ishte fotografi francez Eugene Atget, i cili në mënyrë skrupuloze fotografonte Parisin e vjetër, që po zhdukej nga moderniteti i fillimit të shekullit 20. Abbott e quante Atget ‘Balzakun e kameras’ dhe një ‘historian urbanist’. Asaj i njihet merita e shpëtimit të arkivës së Atget, kur pas vdekjes së tij bleu të gjithë negativët dhe i çoi në Amerikë, ku punoi për publikimin veprës së tij. Në vitet e fundit të karrierës Berenice Abbott u mor me anën teknike dhe shkencore të fotografisë.
Një ndër shprehjet e saj është “Bota nuk i don gratë e pavarura, nuk e di pse, por kjo nuk më shqetëson aspak”.
Libra të përzgjedhur për Berenice Abbott
Gabriele Basilico
Gabriele Basilico është një fotograf italian, i njohur për fotografitë e peisazhit urban. Ai është një ndër figurat më të njohura të fotografisë kontemporane evropiane dhe ndërkombëtare. I diplomuar si Arkitekt në Universitetin Politeknik të Milanos në 1973, ai ja kushtoi karrierën e tij fotografimit të peisazheve urbane dhe metropoleve që transformohen nga një shoqëri industriale në post-industriale.
Gabriele Basilico
(Milano 1944-2013)
Gabriele Basilico portret 2012
Gabriele Basilico është një fotograf italian, i njohur për fotografitë e peisazhit urban. Ai është një ndër figurat më të njohura të fotografisë kontemporane evropiane dhe ndërkombëtare. I diplomuar si Arkitekt në Universitetin Politeknik të Milanos në 1973, ai ja kushtoi karrierën e tij fotografimit të peisazheve urbane dhe metropoleve që transformohen nga një shoqëri industriale në post-industriale.
© GabrieleBasilico, “Milano-Ritratti di Fabbriche” 1978-1980
Dokumentimi i ndryshimeve urbane ishte objektivi kryesor i tij. Në librin autobiografik “Arkitektura, Qytete, Vizione: reflektime mbi fotografinë” ai shprehet “i kisha dhënë vetes një mision, të dëshmoja sesi modifikohet hapësira urbane… Ndonëse qytetet ngjajnë midis tyre, ato ndryshojnë nga ana sociale, historike, gjeografia, klima. Në ditët e sotme, kur qytetet po rriten me një ritëm të pa parë në histori, hapësira urbane paraqitet si një metaforë e shoqërisë ku jetojmë, e cila meriton të vëzhgohet me shumë kujdes”.
© Gabriele Basilico, Milano 1973
Mbi temën e transformimit, formës dhe identitetit të qyteteve, Gabriele Basilico përgjatë karrierës së tij 40 vjeçare, ka botuar mbi 100 libra fotografik. Qytetet kryesore që ka dokumentuar në mënyrë sistematike janë Milano, Roma, Bari, Barcelona, Berlin, Madrid, Lisbona, Napoli, Hamburg, Beirut, Genova, Stamboll, Moskë, Paris, Shangai, San Francisko, Rio de Janero, etj. Projekti i tij i parë është “Milano-Portrete Fabrikash” në vitin 1978-1980, i cili prezantohet në vitin 1983 në PAC Milano (Pavjoni i Artit Kontemporan). Projekti i parë ndërkombëtar vjen në vitin 1984 kur së bashku me fotografë të tjerë angazhohet nga qeveria franceze në Misionin DATAR për të dokumentuar transformimin e peisazhit kontemporan. Prej këndej botohet libri “Bord de Mer”. Tema e porteve dhe e detit e shoqëron më tej, si në fotografimin e qytetit të Genovas që konkludohet në librin “Porti di Mare”(1990).
© Gabriele Basilico, Dunkeque France, 1984
© Gabriele Basilico, “Bord de Mer” 1984
© Gabriele Basilico, LeTouquet France, 1984
© Gabriele Basilico, Dunkerque, 1984
© Gabriele Basilico, Genova 1985.
© Gabriele Basilico, Hamburg 1988
Në 1991 merr pjesë në projektin që i jep famë ndërkombëtare, fotografimin e Beirutit të shkatërruar nga lufta civile 15 vjeçare, së bashku me fotografë të tjerë si Rene Burri, Robert Frank, Jodeph Koudelka, Raymond Depardon dhe Fouad Elkoury. Në vitin 1996 merr pjesë në Bienalen e Venecias me ekspozitën Seksione të Peisazhit Italian /Cross Sections of a Country, ku merr çmimin Osella d’Oro për Fotografinë e Arkitekturës Kontemporane. Në 1999 boton librin “Interrupted City”dhe “Cityscapes” me mbi 300 fotografi urbane të kryera që nga fillimi i viteve ‘80. Në vitin 2000 fotografon zonën metropolitane të Berlinit, që konkludohet me librin “Berlin”, i cili fiton çmimin libri fotografik më i mirë i vitit 2003. Në vitin 2007, i ftuar nga SFMoma (San Francisco Museum of Modern Art) zhvillon një projekt fotografik në zonën metropolitane të Sillicon Valley, që publikohet në librin “Gabriele Basilico-Sillicon Valley”. Një tjetër projekt i këtij viti është “Moska Vertikale”, e fotografuar nga kullat e periudhës staliniste. Në vitet në vazhdim 2010-2012 puna e tij do të shtrihet në metropole të tjera botërore; Stamboll, Shangai, Rio de Janero. Projekti i fundit është në Milano, për dokumentimin e ndërtimit të projektit Porta Nuova.
© Gabriele Basilico, Beirut 1991
© Gabriele Basilico, Beirut 1991
© Gabriele Basilico, Madrid 1993
© Gabriele Basilico, Bilbao 1993
© Gabriele Basilico, Porto 1995
Gabriele Basilico dallohet për stilin e tij monumental dhe të heshtur, mungesën e njeriut në imazh, kontrastin bardhë e zi, që përforcojnë madhështinë e arkitekturës dhe i japin vendit karakter metafizik. Atij i interesojnë stratifikimet historike dhe sociale, pauzat urbane. Në shënimet autobiografike shkruan “E shikoj qytetin si një trup të madh që jeton, një trup në rritje, në transformim, dhe më intereson të kap shenjat, të vëzhgoj formën, ashtu si një mjek që analizon ndryshimet e trupit të njeriut për të studiuar natyrën e tyre”.
© Gabriele Basilico, Milano 1995
© Gabriele Basilico, Milano 1996
© Gabriele Basilico, Milano 1995
Fotografia e Gabriele Basilicos është dokumentuese në karakter, por larg reklamës dhe propagandës. Ajo nuk mundohet të kap ‘momentin deçiziv’ si tek Bresson, por është medituese dhe analitike si fotografia e Atget, Evans, dhe Beckers. Ashtu siç thotë Francesco Bonami “Basilico nuk glorifikon arkitekturën dhe vlerën simbolike të saj, por krijon një diskurs për vlerën estetike të arkitekturës dhe tensionin që ajo ka me funksionin social”. Gjatë jetës së tij, Basilico e ka shpjeguar fotografinë e tij në shumë shkrime, biseda dhe libra. Por paragrafi që sintetizon më shumë mendimin e tij mbi fotografinë është: “Të fotografosh qytetin nuk do të thotë të zgjedhësh arkitekturën më të mirë dhe ta izolosh nga konteksti në mënyrë që të vlerësosh dimensionin e saj estetik, por për mua do të thotë të bësh pikërisht të kundërtën. Dmth të vendosësh në të njëjtin plan arkitekturën e lartë me atë ordinere, të krijosh një vend ku këto të dyja bashkëjetojnë, sepse qyteti i vërtetë, qyteti që dua të tregoj, përmban këtë miksim të ekselentes me mediokren, të qendrës me periferinë, një vizion të urbanes që dikur do ta kishim quajtur demokratike”
© Gabriele Basilico, Paris France, 1997
© Gabriele Basilico, Valencia 1999
© Gabriele Basilico, Milano 2011
© Gabriele Basilico, Rome 2007
© Gabriele Basilico, Roma 2007
© Gabriele Basilico, San Francisco, 2007
© Gabriele Basilico, Shanghai 2010
© Gabriele Basilico, Stamboll 2010
© Gabriele Basilico, Rio De Janiero, 2011
© Gabriele Basilico, Milano, Porta Nuova, 2012
© Gabriele Basilico Selfportrait
Në Muzeun e Fotografisë Marubi në Shkodër, nga data 20 Dhjetor 2024 deri në 16 Mars 2025, është hapur Ekspozita “Eveningside” e fotografit amerikan Gregory Crewdson kuruar nga Jean-Charles Vergne. Projekti i ekspozitës është realizuar në bashkëpunim me Gallerie d’Italia – Muzeu i Intesa Sanpaolo falë mbështetjes së Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ekspozita është një mundësi e mirë për të parë nga afër fotografinë e Gregory Crewdson, i cili njihet për printimet në format të madh të skenave të ngjashme me ato kinematografike, ku çdo detaj është i menduar në imtësi dhe i planifikuar kohë më parë. Stili i tij skenik dhe gjendja misterioze që sjell në fotografinë e tij, e bën Gregory Crewdson të veçohet si një ndër figurat më të rëndësishme të artit pamor bashkëkohor.