Prezantim Libri dhe Ekspozitë Personale “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar”
Në datën 23 Qershor 2025, në mjediset e Tati Space Photography Center, është hapur ekspozita personale e arkitektit Andi Papastefani e titulluar “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar”. Ekspozita është pjesë e promovimit të librit të autorit me të njëjtin titull, i cili është i treti në kolanën e tij të librave me skica urbane, e para për qytetin e Tiranës, duke vazhduar më pas me qytetin historik të Beratit. Në këtë ekspozitë Andi Papastefani paraqet 64 vizatime nga qyteti i Gjirokastrës, të cilat janë pjesë e koleksionit të tij prej 123 vizatimeve të prezantuara në Libër. Një punë 3-vjeçare për të evidentuar 90 ndërtesa tradicionale dhe 10 ansamble urbane, pjesë të trashigimisë ndërtimore dhe kulturore të qytetit të Gjirokastrës, të Shqipërisë dhe të arkitekturës në përgjithësi. Ky libër koinçidon me 20 vjetorin e pranimit të Qytetit të Gjirokastrës në UNESCO dhe sipas Papastefanit është homazh për qytetin e siluetave të gdhendura në gur.
Me anë te skicave arkitektonike, me laps, pastel, flamaster, Andi Papastefani arrin të ndërtojë në mënyrë skrupuloze një koleksion voluminoz vizatimesh, duke skanuar 90 ndërtesa tradicionale gjirokastrite dhe 10 ansamble, pjesë të trashigimisë ndërtimore. Ndërtesat i sistematizon, i kategorizon, duke i grupuar në lagje, dhe si një urbanist përshkruar tiparet e secilës prej tyre. Këtë e bën në mënyrë lakonike dhe konçize, sepse don që theksi dhe vëmendja të mbetet tek vizatimet. Një element i rëndësishëm është përfshirja në Libër e ndërtesave të modernizmit të hershëm në Shqipëri të viteve 20-30, duke na ftuar të hapim një diskutim për përfshirjen e kësaj kategorie të rëndësishme në fondin e trashigimisë së mbrojtur ndërtimore në Shqipëri.
Për Ekspozitën “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar prof. Pirro Thomo thotë: “Shfletoj me endje albumin e ri të arkitekt Andi Papastefani mbi Gjirokastrën, por dhe me kureshtje. Kjo rrjedh nga vetë titulli intrigues, "Duke u ngjitur dhe skicuar", pra duke u endur nëpër lagje e rrugica të Gjirokastrës. Çfarë e ka tërhequr arkitektin nga ky qytet me kaq emër e famë? Si do t'ia transmetojë opinionit publik vlerat urbanistike e arkitektonike të qytetit? Si do të përputhen zgjedhjet e tij nga ky qytet me opinionin shkencor mbizotërues? Dhe në fund të shfletimit të albumit kjo kureshtje mu shua plotësisht. Sepse, nga kalaja ka zgjedhur lojën impresionuese të harqeve e qemereve ( skica 7). Nga skicimet e ansambleve të banuara del qartë koherenca e kompozimit urbanistik me dinamizmin e terrenit ( skica 1, 23, 25, 31, 43). Karakteri mbrojtës i banesës gjirokastrite ka dalë nëpërmjet monumentalitetit të baneses së Zekatëve (skica 46). Duke mos mbetur në këtë stad arkitekti ka vlerësuar dhe evolucionin e banesës drejt fitimit të tipareve të reja arkitektonike ( skica 17, 34, etj.) Aftësite profesionale e artistike të mjeshtrave popullorë zëjnë jo pak vend në album, si: kompozimi vëllimor dinamik i shtëpisë së Skendulave ( skica49); portat e mëdha të dekoruara artistikisht si simbol i fuqisë së familjes por edhe si ftesë mikpritjeje ( skica 12, 16, 42); interieret e pasura dhe mjeshtëritë e gdhendjes së punimit të drurit, tavaneve, dollapeve e dyerve ( skica 22, 40 etj). Nuk janë lënë pas dore dhe qosteket, ndonëse funksioni i tyre është konstruktiv për të mbajtur strehën e dalë dhe të rëndë të çatisë, nuk u ka munguar eleganca dhe përpunimi dekorativ ( skica 57, 58, 70, 94). Duke falenderuar Andin për këtë kontribut të rëndësishëm në paraqitjen tërheqëse të trashegimisë popullore, urojmë vazhdimin e mëtejshëm të kësaj iniciative të filluar.”
Në parathënien e Librit “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar” Ben Andoni shkruan “.. Teksa e shfleton librin ke kërshërinë e një fakti: Si i janë shmangur të shëmtuarës ndërtuesit e saj? Çuditërisht paraardhësit tanë i kanë shpëtuar të shëmtuarës, madje ndryshe nga koha jonë, falë disa koncepteve më natyrore e të trashëguar për funksionet dobiprurëse të estetikës.”
Ndërsa Skënder Luarasi shkruan “... libri i Andi Papastefanit mbi Gjirokastrën është një vizatim në tërësinë e tij, në kuptimin specifik të dhënë më sipër, si një radhitje të endurash në Qytetin e Gurtë. Në këtë mënyrë, vetë libri kthehet në një hartë psikogjeografike që na ofron pikënisje itinerarësh të mirëfilltë, të cilat gjithsesi na mbeten neve, lexuesve, për t’i ndërmarrë, përfunduar, pra për t’i ripërshkuar dhe rivizatuar.”
Rreth Autorit
Andi Papastefani (1962) është arkitekt i diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës. Pas një periudhe disa vjeçare projektimi arkitektonik në Shqipëri, ai vazhdon studimet në Amerikë për Rijetëzim Historik në Boston Architectureal College, dhe më pas për Arkitekturë Peisazhi në Landscape Institute Arnold Arboretum of Harvard University. Ai është skicues urban dhe instruktor. Prej 4 dekadash Andi Papastefani i përdor skicat si një mjet eksplorimi, komunikimi dhe dokumentimi.
Te gjitha fotot, Copyright Alketa Misja
Projekti “Në GJIROKASTËR, duke u ngjitur dhe skicuar” është mbështetur nga Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit MEKI
Libra nga i njejti Autor