Fotografet, Fotografia Kontemporane Alketa Misja Fotografet, Fotografia Kontemporane Alketa Misja

Kioskat e Robert Pichler

Kioska është projekti i fundit i fotografit austriak Robert Pichler, i prezantuar në Tiranë në formën e librit fotografik Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar botuar nga Bahoe Books, Wien 2025, në gjuhën gjermane, shqip dhe anglisht.

 

KIOSKA

Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar

 

Pichler Robert, Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar, Wien, Bahoe books, 2025, ISBN 978-3-903478-17-6, (gjermanisht, shqip, anglisht)


“Kioska” është projekti i fundit i fotografit austriak Robert Pichler, i prezantuar në Tiranë në formën e librit fotografik Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar botuar nga Bahoe Books, Wien 2025, ne gjuhen gjermane, shqip dhe anglisht.

Kioskat shqiptare, të cilës i referohet libri, janë struktura të përkohshme, të improvizuara, në bregdetin shqiptar, për shërbime tregtare dhe turistike. Si tipologji ndërtimi ato u shfaqen, fillimisht në qytetet kryesore, që në fillim të viteve ‘90, me hapjen e ekonomise së vendit ndaj tregut të lirë, duke plotësuar një nevojë të madhe për mjedise biznesi.  Robert Pichler (1), një antropolog historik i cili ka dokumentuar periudhën e tranzicionit shqiptar që në fillim të viteve ‘90, e ka vëzhguar kioskën në evolucionin e saj, që nga fillimet, zhvillimin dhe rënien e saj. Është interesante sesi Pichler i kushton kioskës këtë libër, pikërisht në fundin e epokës së kioskizimit në Shqipëri, atëherë kur ajo po i lë vendin një fenomeni tjetër, atij të betonizimit të bregdetit dhe turizmit masiv. Pikërisht për këtë të fundit flasin shkrimet shoqëruese të autorëve të tjerë me natyrë urbanistike, ekolologjike dhe të ekonomisë së turizmit (2). Kioska është pika lidhëse, ose skeleti që i bashkon këto shkrime si edhe të gjitha tregimet e autorit për takimet e tij me banorët e bregdetit. Në fakt Kioska është një homazh për individualitetin, të veçantën, biznesin e vogël familjar, përpjekjet e shqiptarëve gjatë tranzicionit, por edhe për estetikën e thjeshtë dhe ndërtimet me ndikim minimal në natyrë (3).

 

Kioska ishte një banore e përkohshme në territorin shqiptar, me gjithë larminë e estetikës dhe funksionalitetit të saj. Ajo jetoi afro 2 dekada, midis dy periudhave të ndryshme, atij të bunkerëve të regjimin komunist dhe periudhës së ekonomisë së tregut të lirë, të karakterizuar nga migrimi dhe urbanizimi i shpejt. Brezi im është i tejngopur me imazhet e kioskave, madje e kemi stigmatizuar si diçka jo estetike dhe informale, jashtë rregullave të arkitekturës dhe planifikimit urban konvencional. Megjithatë kioska i shërbeu fort mirë mijëra familjeve shqiptare të cilët mbetën papunë pas mbylljes së fabrikave dhe ndërmarrjeve shtetërore pas ’90-ës. Kioska është gjeneza e biznesit të vogël, komardarja e shpëtimit e ekonomisë familjare, simbol i fillimeve të tregut të lirë dhe iniciativës individuale. Zhdukja e kioskës simbolizon fundin e periudhës së tranzicionit dhe fillimin e një epoke tjetër. Nëpërmjet këtij libri, duket sikur autori don të fiksoj kioskën përpara se ajo të prishet dhe të zhduket përgjithmonë. Projekti fotografik flet për të përkohshmen por edhe për atë çfarë vjen pas saj. Ndonëse nuk shfaqen në foto, hotelet dhe rezortet turistike prej betoni që kanë mbirë kudo në bregdet, janë të nënkuptuara (të paktën për ne shqiptarët).

 

Fotografitë janë një homazh për Kioskën, si simbol i informalitetit dhe përkohshmërisë. Në kontrast me këtë, fotografitë janë kompozuar me kujdes, me gjeometri të rregullt dhe në mënyrë formale; pamje ballore, nga e njëjta pikë vështrimi, si foto pasaporte. Vija e horizontit është e drejtë, dhe ndan përgjysëm tablonë, gjysëm tokë dhe gjysëm qiell. Numri i madh i kioskave të fotografuara tregon nevojën për ti njohur dhe sistematizuar gati në mënyrë shkencore. Më kujton fotografitë e Shkollës së Duseldorfit. Për ti fotografuar autorit i janë dashur disa vite (që nga viti 2010 deri 2022), shume vizita në terren dhe takime me banorët. Është preferuar sezoni i vjeshtës, në fund të sezonit turistik, kur plazhi është bosh, që përforcon ndjenjën e përkohshmërisë dhe braktisjes. Fotografia me ngjyra dhe minimaliste evidenton më shumë elementet e dizajnit dhe materialet varfëra të përdorura. Narrativa e kioskave, gërshetohet me historitë e personave të takuar në terren, mbi vështirësitë e tranzicionit dhe jetës së përditshme. Si një antropolog dhe fotograf, Robert Pichler kombinon fotografitë e arkitekturës së kioskave, me fotografitë e portreteve të banorëve të bregdetit, që plotëson tablonë e jetesës së njerëzve të thjeshtë në territorin e bregdetit shqiptar.

 

All photos courtesy of Robert Pichler


(1) Robert Pichler është antropolog historik dhe fotograf, i cili merret kryesisht me migracionin, dhe transnacionalizmin, familjen dhe farefisninë, proçeset e ndërtimit të kombit, duke përdorur gjithashtu dhe mediumin e fotografisë. Puna e tij qëndron midis hulumtit antropologjik/social dhe fotografisë dokumentare/artistike. Ai ka dokumentuar periudhën tranzicionale të fillim‐viteve ’90-të, kur shoqëria shqiptare po kalonte nga izolimi i regjimit komunist në hapje. Robert Pichler është anëtar në Departamentin e Kërkimeve të Studimeve Ballkanike të Akademisë Austriake të Shkencave, dhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare për Antropoligjinë e Europës Juglindore.

 

(2) Shkrimet shoqëruese në libër janë nga Mamica Burda, Saimir Kristo, Daniel Göler, Dhimitër Doka, Kristi Bego.

 

(3) Projekti “Kioska” u konceptua si një projekt ekspozite dhe botimi. Një përzgjedhje fotografish u nominua për bienalen e Photo Graz në vitin 2016 dhe u prezantua atje për herë të parë. Një ekspozitë pasoi në dhjetor 2017 në Qendrën Kulturore të Zagrebit si pjesë e përzgjedhjes së Photo Graz. Në shtator 2022, “Kioska” u shfaq në Galerinë Off në Graz, përpara se ekspozita udhëtuese të vizitonte disa qytete në Shqipëri (Tiranë, Vlorë, Durrës, Fier dhe Shkodër) deri në dhjetor 2023.

 

Read More
Ekspozite Tatì Space Ekspozite Tatì Space

Prezantim Libri dhe Ekspozitë Personale “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar”

Në datën 23-25 Qershor 2025, në mjediset e Tati Space Center, është hapur ekspozita personale e arkitektit Andi Papastefani e titulluar “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar”.

Në datën 23 Qershor 2025, në mjediset e Tati Space Photography Center, është hapur ekspozita personale e arkitektit Andi Papastefani e titulluar “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar”. Ekspozita është pjesë e promovimit të librit të autorit me të njëjtin titull, i cili është i treti në kolanën e tij të librave me skica urbane, e para për qytetin e Tiranës, duke vazhduar më pas me qytetin historik të Beratit. Në këtë ekspozitë Andi Papastefani paraqet 64 vizatime nga qyteti i Gjirokastrës, të cilat janë pjesë e koleksionit të tij prej 123 vizatimeve të prezantuara në Libër.  Një punë 3-vjeçare për të evidentuar 90 ndërtesa tradicionale dhe 10 ansamble urbane, pjesë të trashigimisë ndërtimore dhe kulturore të qytetit të Gjirokastrës, të Shqipërisë dhe të arkitekturës në përgjithësi. Ky libër koinçidon me 20 vjetorin e pranimit të Qytetit të Gjirokastrës në UNESCO dhe sipas Papastefanit është homazh për qytetin e siluetave të gdhendura në gur.

Me anë te skicave arkitektonike, me laps, pastel, flamaster, Andi Papastefani arrin të ndërtojë në mënyrë skrupuloze  një koleksion voluminoz vizatimesh, duke skanuar 90 ndërtesa tradicionale gjirokastrite dhe 10 ansamble, pjesë të trashigimisë ndërtimore. Ndërtesat i sistematizon, i kategorizon, duke i grupuar në lagje, dhe si një urbanist përshkruar tiparet e secilës prej tyre. Këtë e bën në mënyrë lakonike dhe konçize, sepse don që theksi dhe vëmendja të mbetet tek vizatimet. Një element i rëndësishëm është përfshirja në Libër e ndërtesave të modernizmit të hershëm në Shqipëri të viteve 20-30, duke na ftuar të hapim një diskutim për përfshirjen e kësaj kategorie të rëndësishme në fondin e trashigimisë së mbrojtur ndërtimore në Shqipëri. 

Për Ekspozitën “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar prof. Pirro Thomo  thotë: “Shfletoj me endje albumin e ri të arkitekt Andi Papastefani mbi Gjirokastrën, por dhe me kureshtje. Kjo rrjedh nga vetë titulli intrigues, "Duke u ngjitur dhe skicuar", pra duke u endur nëpër lagje e rrugica të Gjirokastrës. Çfarë e ka tërhequr arkitektin nga ky qytet me kaq emër e famë? Si do t'ia transmetojë opinionit publik vlerat urbanistike e arkitektonike të qytetit? Si do të përputhen zgjedhjet e tij nga ky qytet me opinionin shkencor mbizotërues? Dhe në fund të shfletimit të albumit kjo kureshtje mu shua plotësisht. Sepse, nga kalaja ka zgjedhur lojën impresionuese të harqeve e qemereve ( skica 7). Nga skicimet e ansambleve të banuara del qartë koherenca e kompozimit urbanistik me dinamizmin e terrenit ( skica 1, 23, 25, 31, 43). Karakteri mbrojtës i banesës gjirokastrite ka dalë nëpërmjet monumentalitetit të baneses së Zekatëve (skica 46). Duke mos mbetur në këtë stad arkitekti ka vlerësuar dhe evolucionin e banesës drejt fitimit të tipareve të reja arkitektonike ( skica 17, 34, etj.) Aftësite profesionale e artistike të mjeshtrave popullorë zëjnë jo pak vend në album, si: kompozimi vëllimor dinamik i shtëpisë së Skendulave ( skica49); portat e mëdha të dekoruara artistikisht si simbol i fuqisë së familjes por edhe si ftesë mikpritjeje ( skica 12, 16, 42); interieret e pasura dhe mjeshtëritë e gdhendjes së punimit të drurit, tavaneve, dollapeve e dyerve ( skica 22, 40 etj). Nuk janë lënë pas dore dhe qosteket, ndonëse funksioni i tyre është konstruktiv për të mbajtur strehën e dalë dhe të rëndë të çatisë, nuk u ka munguar eleganca dhe përpunimi dekorativ ( skica 57, 58, 70, 94). Duke falenderuar Andin për këtë kontribut të rëndësishëm në paraqitjen tërheqëse të trashegimisë popullore, urojmë vazhdimin e mëtejshëm të kësaj iniciative të filluar.”


Në parathënien e Librit “Në GJIROKASTËR duke u ngjitur dhe skicuar” Ben Andoni shkruan “.. Teksa e shfleton librin ke kërshërinë e një fakti: Si i janë shmangur të shëmtuarës ndërtuesit e saj? Çuditërisht paraardhësit tanë i kanë shpëtuar të shëmtuarës, madje ndryshe nga koha jonë, falë disa koncepteve më natyrore e të trashëguar për funksionet dobiprurëse të estetikës.”

Ndërsa Skënder Luarasi shkruan “... libri i Andi Papastefanit mbi Gjirokastrën është një vizatim në tërësinë e tij, në kuptimin specifik të dhënë më sipër, si një radhitje të endurash në Qytetin e Gurtë. Në këtë mënyrë, vetë libri kthehet në një hartë psikogjeografike që na ofron pikënisje itinerarësh të mirëfilltë, të cilat gjithsesi na mbeten neve, lexuesve, për t’i ndërmarrë, përfunduar, pra për t’i ripërshkuar dhe rivizatuar.”

 
 
 

Rreth Autorit

Andi Papastefani (1962) është arkitekt i diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës. Pas një periudhe disa vjeçare projektimi arkitektonik në Shqipëri, ai vazhdon studimet në Amerikë për Rijetëzim Historik në Boston Architectureal College, dhe më pas për Arkitekturë Peisazhi në Landscape Institute Arnold Arboretum of Harvard University. Ai është skicues urban dhe instruktor. Prej 4 dekadash Andi Papastefani i përdor skicat si një mjet eksplorimi, komunikimi dhe dokumentimi.

 

Te gjitha fotot, Copyright Alketa Misja


Projekti “Në GJIROKASTËR, duke u ngjitur dhe skicuar” është mbështetur nga Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit MEKI


Libra nga i njejti Autor


Read More