Kioskat e Robert Pichler

 

KIOSKA

Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar

 

Pichler Robert, Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar, Wien, Bahoe books, 2025, ISBN 978-3-903478-17-6, (gjermanisht, shqip, anglisht)


“Kioska” është projekti i fundit i fotografit austriak Robert Pichler, i prezantuar në Tiranë në formën e librit fotografik Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar botuar nga Bahoe Books, Wien 2025, ne gjuhen gjermane, shqip dhe anglisht.

Kioskat shqiptare, të cilës i referohet libri, janë struktura të përkohshme, të improvizuara, në bregdetin shqiptar, për shërbime tregtare dhe turistike. Si tipologji ndërtimi ato u shfaqen, fillimisht në qytetet kryesore, që në fillim të viteve ‘90, me hapjen e ekonomise së vendit ndaj tregut të lirë, duke plotësuar një nevojë të madhe për mjedise biznesi.  Robert Pichler (1), një antropolog historik i cili ka dokumentuar periudhën e tranzicionit shqiptar që në fillim të viteve ‘90, e ka vëzhguar kioskën në evolucionin e saj, që nga fillimet, zhvillimin dhe rënien e saj. Është interesante sesi Pichler i kushton kioskës këtë libër, pikërisht në fundin e epokës së kioskizimit në Shqipëri, atëherë kur ajo po i lë vendin një fenomeni tjetër, atij të betonizimit të bregdetit dhe turizmit masiv. Pikërisht për këtë të fundit flasin shkrimet shoqëruese të autorëve të tjerë me natyrë urbanistike, ekolologjike dhe të ekonomisë së turizmit (2). Kioska është pika lidhëse, ose skeleti që i bashkon këto shkrime si edhe të gjitha tregimet e autorit për takimet e tij me banorët e bregdetit. Në fakt Kioska është një homazh për individualitetin, të veçantën, biznesin e vogël familjar, përpjekjet e shqiptarëve gjatë tranzicionit, por edhe për estetikën e thjeshtë dhe ndërtimet me ndikim minimal në natyrë (3).

 

Kioska ishte një banore e përkohshme në territorin shqiptar, me gjithë larminë e estetikës dhe funksionalitetit të saj. Ajo jetoi afro 2 dekada, midis dy periudhave të ndryshme, atij të bunkerëve të regjimin komunist dhe periudhës së ekonomisë së tregut të lirë, të karakterizuar nga migrimi dhe urbanizimi i shpejt. Brezi im është i tejngopur me imazhet e kioskave, madje e kemi stigmatizuar si diçka jo estetike dhe informale, jashtë rregullave të arkitekturës dhe planifikimit urban konvencional. Megjithatë kioska i shërbeu fort mirë mijëra familjeve shqiptare të cilët mbetën papunë pas mbylljes së fabrikave dhe ndërmarrjeve shtetërore pas ’90-ës. Kioska është gjeneza e biznesit të vogël, komardarja e shpëtimit e ekonomisë familjare, simbol i fillimeve të tregut të lirë dhe iniciativës individuale. Zhdukja e kioskës simbolizon fundin e periudhës së tranzicionit dhe fillimin e një epoke tjetër. Nëpërmjet këtij libri, duket sikur autori don të fiksoj kioskën përpara se ajo të prishet dhe të zhduket përgjithmonë. Projekti fotografik flet për të përkohshmen por edhe për atë çfarë vjen pas saj. Ndonëse nuk shfaqen në foto, hotelet dhe rezortet turistike prej betoni që kanë mbirë kudo në bregdet, janë të nënkuptuara (të paktën për ne shqiptarët).

 

Fotografitë janë një homazh për Kioskën, si simbol i informalitetit dhe përkohshmërisë. Në kontrast me këtë, fotografitë janë kompozuar me kujdes, me gjeometri të rregullt dhe në mënyrë formale; pamje ballore, nga e njëjta pikë vështrimi, si foto pasaporte. Vija e horizontit është e drejtë, dhe ndan përgjysëm tablonë, gjysëm tokë dhe gjysëm qiell. Numri i madh i kioskave të fotografuara tregon nevojën për ti njohur dhe sistematizuar gati në mënyrë shkencore. Më kujton fotografitë e Shkollës së Duseldorfit. Për ti fotografuar autorit i janë dashur disa vite (që nga viti 2010 deri 2022), shume vizita në terren dhe takime me banorët. Është preferuar sezoni i vjeshtës, në fund të sezonit turistik, kur plazhi është bosh, që përforcon ndjenjën e përkohshmërisë dhe braktisjes. Fotografia me ngjyra dhe minimaliste evidenton më shumë elementet e dizajnit dhe materialet varfëra të përdorura. Narrativa e kioskave, gërshetohet me historitë e personave të takuar në terren, mbi vështirësitë e tranzicionit dhe jetës së përditshme. Si një antropolog dhe fotograf, Robert Pichler kombinon fotografitë e arkitekturës së kioskave, me fotografitë e portreteve të banorëve të bregdetit, që plotëson tablonë e jetesës së njerëzve të thjeshtë në territorin e bregdetit shqiptar.

 

All photos courtesy of Robert Pichler


(1) Robert Pichler është antropolog historik dhe fotograf, i cili merret kryesisht me migracionin, dhe transnacionalizmin, familjen dhe farefisninë, proçeset e ndërtimit të kombit, duke përdorur gjithashtu dhe mediumin e fotografisë. Puna e tij qëndron midis hulumtit antropologjik/social dhe fotografisë dokumentare/artistike. Ai ka dokumentuar periudhën tranzicionale të fillim‐viteve ’90-të, kur shoqëria shqiptare po kalonte nga izolimi i regjimit komunist në hapje. Robert Pichler është anëtar në Departamentin e Kërkimeve të Studimeve Ballkanike të Akademisë Austriake të Shkencave, dhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare për Antropoligjinë e Europës Juglindore.

 

(2) Shkrimet shoqëruese në libër janë nga Mamica Burda, Saimir Kristo, Daniel Göler, Dhimitër Doka, Kristi Bego.

 

(3) Projekti “Kioska” u konceptua si një projekt ekspozite dhe botimi. Një përzgjedhje fotografish u nominua për bienalen e Photo Graz në vitin 2016 dhe u prezantua atje për herë të parë. Një ekspozitë pasoi në dhjetor 2017 në Qendrën Kulturore të Zagrebit si pjesë e përzgjedhjes së Photo Graz. Në shtator 2022, “Kioska” u shfaq në Galerinë Off në Graz, përpara se ekspozita udhëtuese të vizitonte disa qytete në Shqipëri (Tiranë, Vlorë, Durrës, Fier dhe Shkodër) deri në dhjetor 2023.

 

Next
Next

Ekspozita Fotografike Online “QYTETE IMAGJINARE” Edicioni i 8-te