Rëndësia e zonave të mbrojtura
Zonat e mbrojtura në Shqipëri përfaqësojnë territore me vlera të rëndësishme natyrore, ekologjike, ekonomike dhe kulturore, ruajtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i të cilave është thelbësor për sigurimin e një zhvillimi afatgjatë. Këto territore përfshijnë një larmi ekosistemesh, nga zonat malore dhe pyjet deri te ligatinat, lumenjtë, liqenet dhe hapësirat bregdetare.
nga:
Dritan Dhora (teksti)*
Alketa Misja (fotografitë)**
Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Zonat e mbrojtura në Shqipëri përfaqësojnë territore me vlera të rëndësishme natyrore, ekologjike, ekonomike dhe kulturore, ruajtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i të cilave është thelbësor për sigurimin e një zhvillimi afatgjatë. Këto territore përfshijnë një larmi ekosistemesh, nga zonat malore dhe pyjet deri te ligatinat, lumenjtë, liqenet dhe hapësirat bregdetare. Për shkak të biodiversitetit të pasur dhe pasurive natyrore që mbartin, zonat e mbrojtura kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe në garantimin e shërbimeve të domosdoshme që natyra i ofron shoqërisë.
Rëndësia ekologjike e tyre lidhet veçanërisht me ruajtjen e biodiversitetit dhe të habitateve natyrore. Ato krijojnë kushte për mbijetesën e llojeve të shumta të florës dhe faunës, përfshirë specie endemike dhe të rrezikuara. Në të njëjtën kohë, ekosistemet e mbrojtura kontribuojnë në rregullimin e ciklit të ujit, mbrojtjen e tokës nga erozioni, thithjen e karbonit dhe zbutjen e ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
Nga këndvështrimi ekonomik, zonat e mbrojtura ofrojnë një gamë të gjerë burimesh dhe mundësish për zhvillim të qëndrueshëm. Menaxhimi racional i pyjeve mund të sigurojë produkte drusore, ndërsa bimët mjekësore dhe aromatike përbëjnë një potencial të rëndësishëm për ekonominë rurale dhe industrinë përpunuese. Gjithashtu, tokat bujqësore dhe kullotat përreth këtyre zonave mbështesin veprimtarinë bujqësore dhe blegtorale, ndërsa lumenjtë, liqenet dhe zonat bregdetare krijojnë mundësi për peshkim të qëndrueshëm. Krahas këtyre burimeve, zhvillimi i ekoturizmit, agroturizmit dhe turizmit të natyrës mund të gjenerojë të ardhura dhe vende pune për komunitetet lokale.
Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Së fundi, zonat e mbrojtura kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe cilësinë e jetës. Pyjet dhe ekosistemet natyrore kontribuojnë në filtrimin e ndotësve të ajrit, prodhimin e oksigjenit dhe rregullimin e temperaturave. Ruajtja e ligatinave dhe baseneve ujore ndihmon në përmirësimin e cilësisë së ujit, në filtrimin natyror të ndotësve dhe në garantimin e burimeve ujore më të sigurta për komunitetet. Njëkohësisht, mbrojtja e tokave redukton erozionin dhe degradimin e tyre, ndërsa ruajtja e ekosistemeve natyrore ndihmon në parandalimin e përmbytjeve dhe në menaxhimin më të mirë të burimeve ujore. Hapësirat natyrore ofrojnë gjithashtu mundësi për aktivitet fizik, rekreacion dhe çlodhje, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien fizike dhe psikologjike të individëve. Për këtë arsye, ruajtja dhe menaxhimi efektiv i zonave të mbrojtura duhet të konsiderohen si një investim strategjik në kapitalin natyror të Shqipërisë, në shëndetin e popullsisë, në qëndrueshmërinë ekonomike dhe në ruajtjen e ekuilibrit të ekosistemeve për brezat e ardhshëm.
Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Alternativat ekonomike fitimprurëse të mundshme në një zonë të mbrojtur:
- Bujqësia e qëndrueshme
- Blegtoria tradicionale
- Bletaria
- Agroturizmi
- Ekoturizmi
- Turizmi malor
- Turizmi i aventurës
- Turizmi rural
- Turizmi kulturor
- Kampingu dhe glampingu (kamping me ekomodim më luksoz)
- Guidat turistike dhe interpretimi i natyrës
- Akomodimi turistik (bujtina, shtëpi pritëse)
- Gastronomia dhe restorantet me produkte lokale
- Peshkimi i qëndrueshëm (ku lejohet)
- Akuakultura tradicionale (në zona të caktuara)
- Grumbullimi dhe tregtimi i bimëve mjekësore e aromatike
- Mbledhja dhe tregtimi i frutave të egra, kërpudhave dhe produkteve të tjera pyjore jodrusore (ku lejohet)
- Përpunimi dhe shitja e produkteve bujqësore e blegtorale
- Përpunimi dhe tregtimi i mjaltit dhe produkteve të bletarisë
- Zejtaria dhe artizanati tradicional
- Prodhimi dhe shitja e suvenireve
- Fotografi dhe videografi natyrore për qëllime komerciale
- Organizimi i aktiviteteve rekreative në natyrë (ecje, çiklizëm, kajak, kalërim etj., sipas rregullave)
Fotot nga Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Shqipëria ka 52 zona të mbrojtura, të ndara në kategori si parqe kombëtare, parqe natyrore/rezervate natyrore të menaxhuara dhe peisazhe të mbrojtura. Këto zona mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 624,460 hektarësh, që përfaqëson afërsisht 21.8% të territorit të Shqipërisë.
Gjithashtu, në Shqiperi ka rreth 330 monumente natyre, që është kategoria e tretë e zonave të mbrojtura.
Sipas legjislacionit shqiptar për zonat e mbrojtura, i cili eshte bazuar në kategorizimin që i bën IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) kategoritë e zonave të mbrojtura (sipas rëndësisë) janë:
1. Rezervat Natyror Strikt – Zona me mbrojtje shumë të lartë, ku aktiviteti njerëzor është i kufizuar dhe lejohet kryesisht kërkimi shkencor.
2. Park Kombëtar – Zona të mëdha me vlera të rëndësishme natyrore dhe biodiversitet të lartë, të mbrojtura për ruajtje, edukim dhe turizëm të qëndrueshëm.
3. Monument Natyre – Objekte ose formacione natyrore me vlera të veçanta shkencore, gjeologjike, biologjike ose estetike, si shpella, ujëvara, kanione dhe drurë monumentalë.
4. Rezervat Natyror i Menaxhuar (ose Park Natyror) – Zona ku mbrojtja e natyrës kombinohet me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
5. Peisazh i Mbrojtur – Zona ku ndërveprimi ndërmjet natyrës dhe veprimtarisë njerëzore ka krijuar peisazhe me vlera të veçanta natyrore, kulturore dhe rekreative.
6. Zonë e Mbrojtur e Burimeve të Menaxhuara – Zona të destinuara për ruajtjen e ekosistemeve dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Fotot nga Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja
*Dritan Dhora është ekspert mjedisor dhe koordinator i projekteve mjedisore, me mbi 25 vite përvojë profesionale në fushën e mjedisit. Ekspertiza e tij përfshin biodiversitetin, mbrojtjen dhe menaxhimin e ekosistemeve ujore, burimet natyrore, vlerësimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ka përvojë të gjerë në menaxhimin dhe koordinimin e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në bashkëpunimin me institucione publike, organizata dhe partnerë akademikë. Ka një përvojë të konsiderueshme në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe përgatitjen e studimeve e publikimeve profesionale. Fokusi i veprimtarisë së tij është veçanërisht i lidhur me problematikat mjedisore të rajonit të Shkodrës, përfshirë Liqenin e Shkodrës, lumin Buna, biodiversitetin dhe menaxhimin e integruar të burimeve natyrore.
**© Alketa Misja. Fotot janë shkrepur në Lagunën e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta dhe në Kriporen e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, gjatë një vizite të organizuar Bird Guided Tour të drejtuar nga AOS Albanian Ornithological Society Albania.
Kioskat e Robert Pichler
Kioska është projekti i fundit i fotografit austriak Robert Pichler, i prezantuar në Tiranë në formën e librit fotografik Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar botuar nga Bahoe Books, Wien 2025, në gjuhën gjermane, shqip dhe anglisht.
KIOSKA
Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar
Pichler Robert, Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar, Wien, Bahoe books, 2025, ISBN 978-3-903478-17-6, (gjermanisht, shqip, anglisht)
“Kioska” është projekti i fundit i fotografit austriak Robert Pichler, i prezantuar në Tiranë në formën e librit fotografik Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar botuar nga Bahoe Books, Wien 2025, ne gjuhen gjermane, shqip dhe anglisht.
Kioskat shqiptare, të cilës i referohet libri, janë struktura të përkohshme, të improvizuara, në bregdetin shqiptar, për shërbime tregtare dhe turistike. Si tipologji ndërtimi ato u shfaqen, fillimisht në qytetet kryesore, që në fillim të viteve ‘90, me hapjen e ekonomise së vendit ndaj tregut të lirë, duke plotësuar një nevojë të madhe për mjedise biznesi. Robert Pichler (1), një antropolog historik i cili ka dokumentuar periudhën e tranzicionit shqiptar që në fillim të viteve ‘90, e ka vëzhguar kioskën në evolucionin e saj, që nga fillimet, zhvillimin dhe rënien e saj. Është interesante sesi Pichler i kushton kioskës këtë libër, pikërisht në fundin e epokës së kioskizimit në Shqipëri, atëherë kur ajo po i lë vendin një fenomeni tjetër, atij të betonizimit të bregdetit dhe turizmit masiv. Pikërisht për këtë të fundit flasin shkrimet shoqëruese të autorëve të tjerë me natyrë urbanistike, ekolologjike dhe të ekonomisë së turizmit (2). Kioska është pika lidhëse, ose skeleti që i bashkon këto shkrime si edhe të gjitha tregimet e autorit për takimet e tij me banorët e bregdetit. Në fakt Kioska është një homazh për individualitetin, të veçantën, biznesin e vogël familjar, përpjekjet e shqiptarëve gjatë tranzicionit, por edhe për estetikën e thjeshtë dhe ndërtimet me ndikim minimal në natyrë (3).
Kioska ishte një banore e përkohshme në territorin shqiptar, me gjithë larminë e estetikës dhe funksionalitetit të saj. Ajo jetoi afro 2 dekada, midis dy periudhave të ndryshme, atij të bunkerëve të regjimin komunist dhe periudhës së ekonomisë së tregut të lirë, të karakterizuar nga migrimi dhe urbanizimi i shpejt. Brezi im është i tejngopur me imazhet e kioskave, madje e kemi stigmatizuar si diçka jo estetike dhe informale, jashtë rregullave të arkitekturës dhe planifikimit urban konvencional. Megjithatë kioska i shërbeu fort mirë mijëra familjeve shqiptare të cilët mbetën papunë pas mbylljes së fabrikave dhe ndërmarrjeve shtetërore pas ’90-ës. Kioska është gjeneza e biznesit të vogël, komardarja e shpëtimit e ekonomisë familjare, simbol i fillimeve të tregut të lirë dhe iniciativës individuale. Zhdukja e kioskës simbolizon fundin e periudhës së tranzicionit dhe fillimin e një epoke tjetër. Nëpërmjet këtij libri, duket sikur autori don të fiksoj kioskën përpara se ajo të prishet dhe të zhduket përgjithmonë. Projekti fotografik flet për të përkohshmen por edhe për atë çfarë vjen pas saj. Ndonëse nuk shfaqen në foto, hotelet dhe rezortet turistike prej betoni që kanë mbirë kudo në bregdet, janë të nënkuptuara (të paktën për ne shqiptarët).
Fotografitë janë një homazh për Kioskën, si simbol i informalitetit dhe përkohshmërisë. Në kontrast me këtë, fotografitë janë kompozuar me kujdes, me gjeometri të rregullt dhe në mënyrë formale; pamje ballore, nga e njëjta pikë vështrimi, si foto pasaporte. Vija e horizontit është e drejtë, dhe ndan përgjysëm tablonë, gjysëm tokë dhe gjysëm qiell. Numri i madh i kioskave të fotografuara tregon nevojën për ti njohur dhe sistematizuar gati në mënyrë shkencore. Më kujton fotografitë e Shkollës së Duseldorfit. Për ti fotografuar autorit i janë dashur disa vite (që nga viti 2010 deri 2022), shume vizita në terren dhe takime me banorët. Është preferuar sezoni i vjeshtës, në fund të sezonit turistik, kur plazhi është bosh, që përforcon ndjenjën e përkohshmërisë dhe braktisjes. Fotografia me ngjyra dhe minimaliste evidenton më shumë elementet e dizajnit dhe materialet varfëra të përdorura. Narrativa e kioskave, gërshetohet me historitë e personave të takuar në terren, mbi vështirësitë e tranzicionit dhe jetës së përditshme. Si një antropolog dhe fotograf, Robert Pichler kombinon fotografitë e arkitekturës së kioskave, me fotografitë e portreteve të banorëve të bregdetit, që plotëson tablonë e jetesës së njerëzve të thjeshtë në territorin e bregdetit shqiptar.
All photos courtesy of Robert Pichler
(1) Robert Pichler është antropolog historik dhe fotograf, i cili merret kryesisht me migracionin, dhe transnacionalizmin, familjen dhe farefisninë, proçeset e ndërtimit të kombit, duke përdorur gjithashtu dhe mediumin e fotografisë. Puna e tij qëndron midis hulumtit antropologjik/social dhe fotografisë dokumentare/artistike. Ai ka dokumentuar periudhën tranzicionale të fillim‐viteve ’90-të, kur shoqëria shqiptare po kalonte nga izolimi i regjimit komunist në hapje. Robert Pichler është anëtar në Departamentin e Kërkimeve të Studimeve Ballkanike të Akademisë Austriake të Shkencave, dhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare për Antropoligjinë e Europës Juglindore.
(2) Shkrimet shoqëruese në libër janë nga Mamica Burda, Saimir Kristo, Daniel Göler, Dhimitër Doka, Kristi Bego.
(3) Projekti “Kioska” u konceptua si një projekt ekspozite dhe botimi. Një përzgjedhje fotografish u nominua për bienalen e Photo Graz në vitin 2016 dhe u prezantua atje për herë të parë. Një ekspozitë pasoi në dhjetor 2017 në Qendrën Kulturore të Zagrebit si pjesë e përzgjedhjes së Photo Graz. Në shtator 2022, “Kioska” u shfaq në Galerinë Off në Graz, përpara se ekspozita udhëtuese të vizitonte disa qytete në Shqipëri (Tiranë, Vlorë, Durrës, Fier dhe Shkodër) deri në dhjetor 2023.