Kur flamingot zbresin në qytet

Prej më shumë se një dekade si planifikues urban, kam mësuar se qyteti është më shumë se hapësirë e ndërtuar, produkt i njeriut krijues. Ai është njëherësh vendi ku njeriu formohet, ndërton marrëdhënien shoqërore dhe mëson të bëhet krijues ose jo. Për gati dy shekuj, hapësira urbane ka qenë jo vetëm vendi ku është zhvilluar qytetari modern, por edhe mjedisi që ka ndikuar në mënyrën se si ai e kupton botën dhe veten si qenie shoqërore.

 
 

Një reflektim mbi Revolucionin Flamingo

nga Kedis Burrja

© Kedis Burrja, Flamingo Revolution

© Kedis Burrja, Flamingo Revolution

 

Prej më shumë se një dekade si planifikues urban, kam mësuar se qyteti është më shumë se hapësirë e ndërtuar, produkt i njeriut krijues. Ai është njëherësh vendi ku njeriu formohet, ndërton marrëdhënien shoqërore dhe mëson të bëhet krijues ose jo. Për gati dy shekuj, hapësira urbane ka qenë jo vetëm vendi ku është zhvilluar qytetari modern, por edhe mjedisi që ka ndikuar në mënyrën se si ai e kupton botën dhe veten si qenie shoqërore.

Përvoja ime gjatë tre viteve të fundit në arkitekturën e peizazhit ma ka përforcuar idenë se mjedisi urban nuk përcaktohet vetëm nga rrugët, ndërtesat apo hapësirat publike. Ai përbëhet edhe nga një element që shpesh lihet në hije: ndjeshmëria e njerëzve ndaj vendit ku jetojnë. Kjo lidhje emocionale dhe kulturore është po aq e rëndësishme sa edhe kushtet fizike të qytetit. Njeriu nuk është vetëm një qenie biologjike; ai është edhe një qenie kulturore, e lidhur me historinë, gjuhën dhe kujtesën. Të gjitha këto pasqyrohen në mënyrën se si jetojmë dhe ndërveprojmë me qytetin. Kjo lidhje nuk bëhet askund më e dukshme sesa në jetën shoqërore që zhvillohet në hapësirat urbane.

Prej më shumë se 60 ditësh, qytetarët kanë mbushur sheshet duke shprehur një shqetësim të përbashkët. Por, përtej këtij shqetësimi, po lind edhe një mënyrë e re për ta parë se çfarë duan për të ardhmen. Edhe pse ende nuk është formuluar plotësisht, dëshira shfaqet në rezistencën e vazhdueshme ndaj një rendi i cili nuk e bën të mundur atë. Kjo rezistencë nuk po mbledh vetëm kërkesa të ndryshme; ajo po ndryshon edhe vetë njerëzit, të cilët po zbulojnë tek vetja guxim, dashuri dhe mundësi që nuk i kishin menduar më parë. Për këtë arsye, ajo ka shënuar fillimin e një epoke të re, të cilën po e quajnë Revolucioni i Flamingove.

Në pamje të parë, kjo mund të duket si një protestë e madhe qytetare. Por ajo është më shumë se kaq. Protesta dhe pjesëmarrja e gjerë janë vetëm dy dukuri sipërfaqësore të një procesi më të thellë, që po merr formë. Për ta kuptuar më mirë atë që po ndodh, do të veçoj tri cilësi që, sipas meje, e karakterizojnë këtë fenomen.

Cilësia e parë është karakteri i saj kombëtar. Kjo nuk është një lëvizje e kufizuar vetëm në Tiranë. Edhe pse kryeqyteti mbetet qendra kryesore e protestave, manifestime zhvillohen në shumë qytete e komunitete në të gjithë Shqipërinë. E njëjta gjë ndodh edhe në qytetet e botës ku jetojnë shqiptarë. Të marra së bashku, këto manifestime tregojnë se lëvizja ka kapërcyer kufijtë e kryeqytetit dhe të shtetit, duke bashkuar shqiptarët kudo që ndodhen në një frymë të përbashkët kombëtare.

Cilësia e dytë është karakteri i saj qytetar. Përmes kësaj lëvizjeje, shqiptarët po zbulojnë një mënyrë qytetarie te vetja, të cilin nuk e kanë parë as në botën perëndimore. Prej më shumë se dy muajsh, ata kanë mbajtur gjallë një rezistencë paqësore për mbrojtjen e një zone me vlera të veçanta natyrore. Por kjo nuk është vetëm një betejë për të mbrojtur një peizazh natyror. Ajo buron edhe nga lidhja e thellë që njerëzit kanë me vendin ku janë rritur dhe që nuk duan ta humbin. Pikërisht kjo lidhje me mjedisin, e shoqëruar me një sjellje qytetare dhe paqësore, e bën këtë lëvizje në Shqipëri një shembull të ri angazhimi, private dhe publike njëkohësisht.

Cilësia e tretë lidhet me ndryshimin që kjo lëvizje ka sjellë në mënyrën se si flasim dhe kuptojmë njëri-tjetrin. Fjalët që dëgjohen në parulla, në diskutime dhe në shesh nuk janë të reja. Të reja janë kuptimet që ato po marrin. Ky ndryshim kuptohet më mirë nga ata që e jetojnë manifestimin nga afër, ndërsa mbetet më i vështirë për ata që e njohin vetëm përmes ekranit. Në këtë mënyrë, gjuha po pasurohet nga ushtrimi i saj kolektiv;  ajo nuk po përdoret vetëm për të shprehur pakënaqësi, por edhe për të artikuluar çështje të reja që deri dje dukeshin të pamundura për t'u shtruar.

Territori është skena ku zhvillohet kjo ngjarje e re shoqërore. Për ta kuptuar këtë lëvizje duhet të dalësh nga zona e konfortit dhe të shkosh ta vizitosh. Ndoshta të ecësh në shesh, ndoshta të shohësh vendet e rrezikuara ose të bisedosh me njerëzit që po i mbrojnë. Vetëm atëherë bëhet e qartë se kjo nuk është një protestë e zakonshme, por një marrëdhënie e re mes njerëzve dhe vendit ku jetojnë. Secili zgjedh vetë nga ta nisë rrugëtimin e tij. Por pa pjesëmarrje, asnjë ndryshim nuk mund të vijë për ata që e duan ndryshimin.

 

Autori i shkrimit dhe i fotove, Kedis Burrja, ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1988. Aty kultivoi dashurinë për peizazhin dhe aftësitë e para për pikturë. Studimet e larta i kreu në Tiranë, ku jeton edhe sot. Ai është planifikues urban me përvojë në planifikimin vendor dhe dizajnin e hapësirave publike e private kushtuar aktiviteteve njerëzore. Prej vitesh, aktivist urban në mbrojtje të hapësirave publike dhe të drejtave për qytetin. Studimet e fundit në arkitekturë peizazhi kanë qenë shtysë për të studiuar më nga afër perceptimin qytetar, si nëpërmjet dizajnit ashtu edhe fotografisë së lirë në hapësirat publike të mjediseve urbane.

Read More