Rëndësia e zonave të mbrojtura

 
 

nga:

Dritan Dhora (teksti)*

Alketa Misja (fotografitë)**

Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Zonat e mbrojtura në Shqipëri përfaqësojnë territore me vlera të rëndësishme natyrore, ekologjike, ekonomike dhe kulturore, ruajtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i të cilave është thelbësor për sigurimin e një zhvillimi afatgjatë. Këto territore përfshijnë një larmi ekosistemesh, nga zonat malore dhe pyjet deri te ligatinat, lumenjtë, liqenet dhe hapësirat bregdetare. Për shkak të biodiversitetit të pasur dhe pasurive natyrore që mbartin, zonat e mbrojtura kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe në garantimin e shërbimeve të domosdoshme që natyra i ofron shoqërisë.

Rëndësia ekologjike e tyre lidhet veçanërisht me ruajtjen e biodiversitetit dhe të habitateve natyrore. Ato krijojnë kushte për mbijetesën e llojeve të shumta të florës dhe faunës, përfshirë specie endemike dhe të rrezikuara. Në të njëjtën kohë, ekosistemet e mbrojtura kontribuojnë në rregullimin e ciklit të ujit, mbrojtjen e tokës nga erozioni, thithjen e karbonit dhe zbutjen e ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

Nga këndvështrimi ekonomik, zonat e mbrojtura ofrojnë një gamë të gjerë burimesh dhe mundësish për zhvillim të qëndrueshëm. Menaxhimi racional i pyjeve mund të sigurojë produkte drusore, ndërsa bimët mjekësore dhe aromatike përbëjnë një potencial të rëndësishëm për ekonominë rurale dhe industrinë përpunuese. Gjithashtu, tokat bujqësore dhe kullotat përreth këtyre zonave mbështesin veprimtarinë bujqësore dhe blegtorale, ndërsa lumenjtë, liqenet dhe zonat bregdetare krijojnë mundësi për peshkim të qëndrueshëm. Krahas këtyre burimeve, zhvillimi i ekoturizmit, agroturizmit dhe turizmit të natyrës mund të gjenerojë të ardhura dhe vende pune për komunitetet lokale.

Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Së fundi, zonat e mbrojtura kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe cilësinë e jetës. Pyjet dhe ekosistemet natyrore kontribuojnë në filtrimin e ndotësve të ajrit, prodhimin e oksigjenit dhe rregullimin e temperaturave. Ruajtja e ligatinave dhe baseneve ujore ndihmon në përmirësimin e cilësisë së ujit, në filtrimin natyror të ndotësve dhe në garantimin e burimeve ujore më të sigurta për komunitetet. Njëkohësisht, mbrojtja e tokave redukton erozionin dhe degradimin e tyre, ndërsa ruajtja e ekosistemeve natyrore ndihmon në parandalimin e përmbytjeve dhe në menaxhimin më të mirë të burimeve ujore. Hapësirat natyrore ofrojnë gjithashtu mundësi për aktivitet fizik, rekreacion dhe çlodhje, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien fizike dhe psikologjike të individëve. Për këtë arsye, ruajtja dhe menaxhimi efektiv i zonave të mbrojtura duhet të konsiderohen si një investim strategjik në kapitalin natyror të Shqipërisë, në shëndetin e popullsisë, në qëndrueshmërinë ekonomike dhe në ruajtjen e ekuilibrit të ekosistemeve për brezat e ardhshëm.

Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Alternativat ekonomike fitimprurëse të mundshme në një zonë të mbrojtur:

-  Bujqësia e qëndrueshme

-  Blegtoria tradicionale

-  Bletaria

-  Agroturizmi

-  Ekoturizmi

-  Turizmi malor

-  Turizmi i aventurës

-  Turizmi rural

-  Turizmi kulturor

-  Kampingu dhe glampingu (kamping me ekomodim më luksoz)

-  Guidat turistike dhe interpretimi i natyrës

-  Akomodimi turistik (bujtina, shtëpi pritëse)

-  Gastronomia dhe restorantet me produkte lokale

-  Peshkimi i qëndrueshëm (ku lejohet)

-  Akuakultura tradicionale (në zona të caktuara)

-  Grumbullimi dhe tregtimi i bimëve mjekësore e aromatike

-  Mbledhja dhe tregtimi i frutave të egra, kërpudhave dhe produkteve të tjera pyjore jodrusore (ku lejohet)

-  Përpunimi dhe shitja e produkteve bujqësore e blegtorale

-  Përpunimi dhe tregtimi i mjaltit dhe produkteve të bletarisë

-  Zejtaria dhe artizanati tradicional

-  Prodhimi dhe shitja e suvenireve

-  Fotografi dhe videografi natyrore për qëllime komerciale

- Organizimi i aktiviteteve rekreative në natyrë (ecje, çiklizëm, kajak, kalërim etj., sipas rregullave)

Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja
Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Fotot nga Laguna e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, © Alketa Misja

Shqipëria ka 52 zona të mbrojtura, të ndara në kategori si parqe kombëtare, parqe natyrore/rezervate natyrore të menaxhuara dhe peisazhe të mbrojtura. Këto zona mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 624,460 hektarësh, që përfaqëson afërsisht 21.8% të territorit të Shqipërisë.

Gjithashtu, në Shqiperi ka rreth 330 monumente natyre, që është kategoria e tretë e zonave të mbrojtura.


Sipas legjislacionit shqiptar për zonat e mbrojtura, i cili eshte bazuar në kategorizimin që i bën IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) kategoritë e zonave të mbrojtura (sipas rëndësisë) janë:

1.     Rezervat Natyror Strikt – Zona me mbrojtje shumë të lartë, ku aktiviteti njerëzor është i kufizuar dhe lejohet kryesisht kërkimi shkencor.

2.     Park Kombëtar – Zona të mëdha me vlera të rëndësishme natyrore dhe biodiversitet të lartë, të mbrojtura për ruajtje, edukim dhe turizëm të qëndrueshëm.

3.     Monument Natyre – Objekte ose formacione natyrore me vlera të veçanta shkencore, gjeologjike, biologjike ose estetike, si shpella, ujëvara, kanione dhe drurë monumentalë.

4.     Rezervat Natyror i Menaxhuar (ose Park Natyror) – Zona ku mbrojtja e natyrës kombinohet me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

5.     Peisazh i Mbrojtur – Zona ku ndërveprimi ndërmjet natyrës dhe veprimtarisë njerëzore ka krijuar peisazhe me vlera të veçanta natyrore, kulturore dhe rekreative.

6.     Zonë e Mbrojtur e Burimeve të Menaxhuara – Zona të destinuara për ruajtjen e ekosistemeve dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja
Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja
Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja
Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja
Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja
Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja

Fotot nga Kriporja e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, © Alketa Misja


*Dritan Dhora është ekspert mjedisor dhe koordinator i projekteve mjedisore, me mbi 25 vite përvojë profesionale në fushën e mjedisit. Ekspertiza e tij përfshin biodiversitetin, mbrojtjen dhe menaxhimin e ekosistemeve ujore, burimet natyrore, vlerësimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ka përvojë të gjerë në menaxhimin dhe koordinimin e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në bashkëpunimin me institucione publike, organizata dhe partnerë akademikë. Ka një përvojë të konsiderueshme në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe përgatitjen e studimeve e publikimeve profesionale. Fokusi i veprimtarisë së tij është veçanërisht i lidhur me problematikat mjedisore të rajonit të Shkodrës, përfshirë Liqenin e Shkodrës, lumin Buna, biodiversitetin dhe menaxhimin e integruar të burimeve natyrore.

**© Alketa Misja. Fotot janë shkrepur në Lagunën e Karavastasë brenda Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta dhe në Kriporen e Nartës brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Porro-Nartë, gjatë një vizite të organizuar Bird Guided Tour të drejtuar nga AOS Albanian Ornithological Society Albania.

Next
Next

Kur flamingot zbresin në qytet