Rruga Sami Frashëri
Tirana, 1019
Albania

+355 672040073

Ekspozite Fotografie dhe Prezantimi i Librit ALBANIAN SCAPES

Artikuj

Ekspozite Fotografie dhe Prezantimi i Librit ALBANIAN SCAPES

Tatì Space

Ditën e shtunë, dt 18 mars 2023, ora 11.00, në ambientet e TATI SPACE Photography Center, u hap Ekspozita Fotografike “ALBANIAN SCAPES -një udhëtim fotografik në peizazhin shqiptar”, me fotografi dhe printime nga Alketa Misja. Cikli është pjesë e projektit fotografik ALBANIAN SCAPES, i cili përfshin një hark kohor 2008-2022. Një pjesë e printimeve janë botuar në librin ALBANIAN SCAPES. Ndërsa një pjesë tjetër paraqiten për herë të parë në këtë ekspozitë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 22 Prill, Dita Ndërkombëtare e Tokës.

Përshkrimi i Projektit

 

“Albanian Scapes është një seri fotografike mbi peizazhin shqiptar, ashtu siç tregohet edhe në titull Albanian + Landscapes. Gjatë këtyre 25 viteve kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve që ka pësuar peizazhi shqiptar si rrjedhojë e betonizimit dhe urbanizimit të shpejtë, përdorimit për qëllime komerciale dhe shfrytëzimit pa kriter të burimeve natyrore. Fotografia më ka ndihmuar të dokumentoj këtë transformim. Për këtë arsye, Albanian Scapes shërben si njëngrirje në kohë e një peizazhi i cili nuk do të jetë më i njëjtë. Albanian Scapes është një meditim mbi gjendjen ekzistuese të peizazhit shqiptar, i cili është në ndryshim të vazhdueshëm, ashtu si edhe interesat e shoqërisë në të cilën natyra bën pjesë. Projekti është ndërtuar në formën e një udhëtimi fotografik, nga veriu në jug, i cili të njeh me pasuritë natyrore shqiptare dhe kontrastet e saj. Në njërin skaj është natyra e Thethit dhe e Oroshit, ende e paprekur nga turizmi masiv, ndërsa në skajin e kundërt, peizazhi i ndërtuar i Tiranës, i cili transformohet cdo ditë nga urbanizimi i vrullshëm”

Në parathënien e librit “Albanian Scapes”, ark. Andi Papastefani shkruan – “Në këtë botim estetik e të veçantë, pamjet e këndshme të ngacmojnë syrin dhe mendjen. Alketa ka arritur të evidentojë kompleksitetin, kontrastin dhe problematikat e këtij vendi, me të cilin natyra është treguar aq bujare. Si arkitekte dhe fotografe, ajo e prezanton këtë situatë plot kontradikta në narrativën e saj fotografike nëpër Shqipëri, me anë të imazheve ikonike që të shtyjnë të mendosh, të kuptosh vlerën e vërtetë të peizazhit, kulturës, historisë, si edhe atë që kemi humbur”

Ndërsa Falma Fshazi shkruan – “Në Shqipërinë e Albanian Scapes, ne rikujtojmë qytetet që ndërrojnë fytyrë me shpejtësi, teksa mbushen me ndërtesa të larta po aq sa me histori ende për t’u dëgjuar. Histori që mbivendosen, por vazhdojnë të jenë vetvetja, ashtu si dhe peizazhi urban shqiptar, transformimi i të cilit ka vijuar me intensitet drejt kodrave, fushave e brigjeve të lumenjve, duke hyrë edhe ku nuk i takon, por pa tjetërsuar dot ndjesinë e pamjen mesdhetare, gjurmët e kohëve, e as natyrën mikpritëse të vendasve. Në veprën fotografike të Alketës, peizazhi natyror i Shqipërisë nga Thethi në Lukovë është një ekzistencë ujore, e ujërave të ëmbël, të kripur, brisk të fohtë, apo shërues e të ngrohtë, të cilët, ku nuk janë të puqur me shkëmbinjtë e lartësive, gjarpërojnë fushave të mbrojtura nga male vertikale. Ujëra të kaltër e ujëra të bardhë, ujëra të cekët e ujëra të thellë, trashëgimi ekologjike, aq sa kujtesa e gjallesave, sendeve dhe njerëzve që na vijnë nëpërmjet fotove si kërkues të kuptimit për shqiptarët, evropianët dhe botën e nesërme.


Amazon Store: ISBN Hardcover, ImageWrap: 9798881301958

Blurb Bookstore: ISBN Hardcover, ImageWrap: 9798881287856

Blurb Bookstore: ISBN Hardcover, Dust Jacket: 9798210988904

Language: English, Albanian

Standard Landscape, 10x8 inch, 25x20cm

100 pages, 87 photos, Premium Lustre Paper