Fotografet, Fotografia Kontemporane Tatì Space Fotografet, Fotografia Kontemporane Tatì Space

MËNYRA SI JETOJMË - Tetë Zëra mbi Arkitekturën, Jetën Urbane dhe Peizazhin në Transformim

Si i banojmë, i formësojmë dhe i përjetojmë hapësirat që na rrethojnë? Ky artikull bashkon tetë autorë dhe tetë zëra të ndryshëm në fushën e fotografisë së arkitekturës dhe asaj urbane, duke sjellë këndvështrime kritike dhe bashkëkohore mbi Mënyrën si Jeto​jmë. Përmes qasjeve të ndryshme vizuale, veprat e tyre eksplorojnë mënyrën se si jetojmë, ndërveprojmë dhe lidhemi me hapësirat përreth nesh: nga detajet e shpërfillura të jetës së përditshme urbane dhe gjurmët e transformimit post-socialist, te arkitekturat që po zhduken, peizazhet e kërcënuara, trashëgimia kulturore, cenueshmëria mjedisore dhe dinamikat në ndryshim të hapësirës publike. Duke lëvizur mes vëzhgimit dokumentar dhe interpretimit personal, këto projekte nxjerrin në pah lidhjet komplekse mes arkitekturës, shoqërisë, kujtesës dhe identitetit. Së bashku, Leonard Qylafi, Olson Lamaj, Thomas Krempke, Robert Pichler, Nick St.Oegger, Wandrille Potez, Ilir Tsouko dhe Vlasov Sulaj na ftojnë të shohim përtej mjedisit të dukshëm dhe të reflektojmë mbi forcat më të gjera sociale, kulturore dhe politike që formësojnë vendet që quajmë shtëpi dhe mënyrën se si jetojmë.

Si i banojmë, i formësojmë dhe i përjetojmë hapësirat që na rrethojnë? Ky artikull bashkon tetë autorë dhe tetë zëra të ndryshëm në fushën e fotografisë së arkitekturës dhe asaj urbane, duke sjellë këndvështrime kritike dhe bashkëkohore mbi Mënyrën si Jeto​jmë. Përmes qasjeve të ndryshme vizuale, veprat e tyre eksplorojnë mënyrën se si jetojmë, ndërveprojmë dhe lidhemi me hapësirat përreth nesh: nga detajet e shpërfillura të jetës së përditshme urbane dhe gjurmët e transformimit post-socialist, te arkitekturat që po zhduken, peizazhet e kërcënuara, trashëgimia kulturore, cenueshmëria mjedisore dhe dinamikat në ndryshim të hapësirës publike. Duke lëvizur mes vëzhgimit dokumentar dhe interpretimit personal, këto projekte nxjerrin në pah lidhjet komplekse mes arkitekturës, shoqërisë, kujtesës dhe identitetit. Së bashku, Leonard Qylafi, Olson Lamaj, Thomas Krempke, Robert Pichler, Nick St.Oegger, Wandrille Potez, Ilir Tsouko dhe Vlasov Sulaj na ftojnë të shohim përtej mjedisit të dukshëm dhe të reflektojmë mbi forcat më të gjera sociale, kulturore dhe politike që formësojnë vendet që quajmë shtëpi dhe mënyrën se si jetojmë.

 

Leonard Qylafi - Libri i Negativave

“Libri i Negativave” i artistit visual Leonard Qylafit është një seri fotografike, shkrepur në film 35 mm, realizuar prej vitit 2010, gjatë shëtitjeve në qytet duke fiksuar momente të jetës së përditshme, si njerëz, peisazhe, momente urbane. Gjatë proçesit të skanimit të negativave, disa vite më vonë, autori i shikon këto imazhe në një tjetër këndvështrim, duke dalluar dhe evidentuar pjesë të ndryshme të tij, që dikur i ishin dukur të parëndësishme apo jashtë vëmendjes. Në përfundim të proçesit krijues, fragmentet e përzgjedhura paraqiten pozitive, të izoluara, kundrejt imazhit negativ të filmit. Subjekti nuk zhvendoset, por vetëm evidentohet ndryshe, duke na sjelle në vëmendje raportin e qendrës dhe periferisë së imazhit, si elemente relativë dhe të manipulueshëm. Libri i Negativave na kujton se edhe momentet më të zakonshme mund të fshehin diçka të papritur, që pret të zbulohet kur ndalemi për t’i parë edhe më mirë.

 

Olson Lamaj - Between Pattern and Shadow

Olson Lamaj është artist pamor dhe fotograf, praktika artistike e të cilit eksploron marrëdhënien mes imazhit, ideologjisë dhe kujtesës kolektive, duke shqyrtuar mënyrën se si sistemet politike, sociale dhe kulturore ndërtojnë identitete dhe forma të përfaqësimit. Në serinë e tij fotografike Between Pattern and Shadow, Lamaj përqendrohet te detajet e shpërfillura të peizazhit urban të Tiranës. Karriget plastike, strukturat e improvizuara, kabllot e ekspozuara, ndërtesat e papërfunduara dhe simbolet nacionaliste shndërrohen në gjurmë të forcave sociale dhe historike që kanë formësuar qytetin. Përmes vëzhgimit të përditshëm, ai ndërton një arkiv personal të transformimit post-socialist të Shqipërisë, duke zbuluar se si e kaluara dhe e tashmja bashkëjetojnë në një mjedis urban që ndryshon vazhdimisht.

Duke u mbështetur në formimin e tij në pikturë, Lamaj ndërthur saktësinë kompozicionale me vëmendjen dokumentuese ndaj jetës së përditshme. Imazhet e tij, të ndërtuara me kujdes, i shndërrojnë elementet urbane në kompozime grafike të formave, hijeve dhe teksturave, ndërsa humori dhe ironia nxjerrin në pah kontradiktat e ngulitura në peizazhin urban.

 

Thomas Krempke - Ëndërr

Thomas Krempke është një fotograf zviceran, puna e të cilit lëviz mes vëzhgimit urban dhe interpretimit poetik. Fotografitë e tij eksplorojnë tensionin mes arkitekturës si realitet fizik dhe mënyrës se si ajo perceptohet, kujtohet dhe riimagjinohet përmes fotografisë. Me një vështrim të ndjeshëm ndaj atmosferës, dritës dhe paqartësisë hapësinore, Krempke ndërton rrëfime vizuale që shkojnë përtej dokumentimit, duke i ftuar shikuesit ta përjetojnë qytetin njëkohësisht si peizazh të ndërtuar dhe emocional.

Projekti i tij i fundit në Shqipëri, “Ëndërr”, pasqyron këtë qasje, duke kapur fragmente të jetës urbane, arkitekturës dhe transformimit përmes një këndvështrimi që është njëkohësisht i përpiktë dhe i pakapshëm. I zhvilluar gjatë pesë viteve, projekti lindi nga magjepsja e tij me transformimin e shpejtë të vendit, ku trashëgimia e periudhës komuniste, zhvillimi informal dhe aspiratat për të ardhmen bashkëjetojnë në një strukturë urbane komplekse. Përmes fotografive të ndërtesave, situatave të përditshme dhe portreteve të njerëzve që ndjekin ëndrrat e tyre, Krempke shkon përtej paraqitjes dokumentare për të eksploruar mënyrën se si i perceptojmë dhe i përjetojmë vendet ku jetojmë. Titulli pasqyron si ëndrrën shqiptare për të gjetur fat dhe lumturi në vendin e vet ose jashtë tij, ashtu edhe kërkimin e evropianëve për një destinacion ende të pazbuluar. Ëndërr është një projekt në vazhdim mbi aspiratat individuale, transformimin urban dhe kufijtë në ndryshim mes reales dhe të përfytyruarës.

 

Robert Pichler - Kioska

“Kioska” është projekti i fotografit dhe antropologut austriak Robert Pichler, i prezantuar përmes librit fotografik “Kioska, arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar”. Kioskat u shfaqën në fillim të viteve 1990, me hapjen e ekonomisë ndaj tregut të lirë, duke plotësuar një nevojë të madhe për mjedise biznesi. Për afro dy dekada, ato ishin simbol i iniciativës individuale dhe i shpëtimit për mijëra familje shqiptare pas mbylljes masive të ndërmarrjeve shtetërore. Sot, kioska po i lë vendin betonizimit të bregdetit dhe turizmit masiv. Nëpërmjet kësaj serie, duket sikur Pichler kerkon ta fiksojë përpara se kioska të zhduket përgjithmonë, duke dokumentuar jo vetëm një tipologji ndërtimi, por edhe një periudhë të rëndësishme të tranzicionit shqiptar.

Fotografitë janë një homazh për kioskën si simbol i informalitetit dhe përkohshmërisë. Të realizuara gjatë viteve 2010–2022, ato paraqesin kioskat me kompozime të rregullta, minimaliste dhe pamje ballore, në kontrast me natyrën e tyre të improvizuar. Robert Pichler ndërthur fotografitë e arkitekturës me portretet dhe historitë e banorëve të bregdetit, duke sjellë një tablo të jetës së përditshme dhe vështirësive të tranzicionit. Një projekt që flet për të përkohshmen, por edhe për atë që vjen pas saj: një bregdet ku kioskat zhduken, ndërsa ndërtesat prej betoni bëhen gjithnjë e më të pranishme.

 

Nick St.Oegger - Vajtimi i Maleve

Nick St.Oegger është një fotograf dokumentues amerikan, puna e të cilit eksploron marrëdhënien mes njerëzve dhe vendeve. Prej vitit 2013 ai punon në Ballkanin Perëndimor, duke trajtuar në Shqipëri, një çështje mjaft të ndjeshme: ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e rajonit të njohur si “Zemra Blu e Europës” (Blue Heart of Europe) dhe ndikimin e tyre mbi biodiversitetin e pasur dhe kulturat unike të komuniteteve lokale. Në serinë “Kuçedra”, St.Oegger eksploron Vjosën, një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, si dhe projektet e propozuara për ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së saj, të cilat kërcënojnë të ndryshojnë rrjedhën e lumit, të dëmtojnë biodiversitetin e tij të jashtëzakonshëm dhe të zhvendosin mijëra banorë përmes krijimit të rezervuarëve. Vjosa përbën një habitat jetik për shumë specie të rrezikuara bimore dhe shtazore, një pjesë e të cilave janë zhdukur nga lumenjtë e tjerë europianë. Ajo ka gjithashtu një rëndësi të veçantë kulturore dhe ekonomike për komunitetet rurale përgjatë brigjeve të saj, të cilat dikur luanin një rol të rëndësishëm në industrinë bujqësore të Shqipërisë. Përmes peizazheve, portreteve dhe detajeve të ambienteve të brendshme, fotografi dokumenton mjedisin e Vjosës në gjendjen e tij natyrore, ndërsa përballet me kërcënimin e një transformimi të pakthyeshëm.

Në serinë “Vajtimi i Maleve” (The Lament of the Mountains), St.Oegger e zhvendos vëmendjen te malësorët e Kelmendit, një kulturë e mirëfilltë baritore, ndër të fundit e këtij lloji në Europë, jetesa e së cilës kërcënohet nga rreth një duzinë digash të planifikuara përgjatë lumenjve alpinë. Ndërsa qeveria përfiton subvencione dhe kredi nga bankat perëndimore për të përballuar krizën energjetike përmes ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël, mungon konsultimi publik mbi pasojat e mundshme për biodiversitetin e pasur dhe mënyrën tradicionale të jetesës së barinjve të zonave malore. Ndërkohë që në Itali, Austri dhe Greqi, praktikat e blegtorisë tradicionale baritore janë njohur dhe mbrojtur nga UNESCO, në Shqipëri nuk ekziston një status i ngjashëm, çka e bën edhe më të pasigurt mbijetesën e kësaj tradite kulturore.

 

Wandrille Potez - Shqiponja dhe Engjëj

Për fotografin dhe studiuesin Wandrille Potez, Lugina e Drinos në Shqipëri është një vend ku historia, besimi dhe natyra bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë. Që prej vitit 2017, dhe përmes udhëtimeve të përsëritura nga viti 2022 e në vijim, ai ka eksploruar kishat dhe manastiret e saj të largëta postbizantine, duke dokumentuar afreske të braktisura, mure guri të gërryera nga koha dhe gjurmë të besimit që kanë mbijetuar përmes shekujve të ndryshimeve politike, neglizhencës dhe ekspozimit ndaj kushteve atmosferike. Duke ndërthurur fotografinë, historinë e artit dhe kërkimin dokumentar, Potez u qaset këtyre siteve si dëshmi të gjalla të trashëgimisë kulturore, të ruajtura falë ritualeve të heshtura dhe kujdesit të komuniteteve vendase. Puna e tij zbulon jo vetëm rëndësinë e tyre arkitekturore dhe artistike, por edhe brishtësinë e tyre dhe marrëdhënien e ngushtë mes hapësirave të shenjta, peizazhit dhe jetës së përditshme.

Angazhimi i Potez për ruajtjen e kësaj trashëgimie pak të njohur shtrihet përtej fotografisë. Me nismën e tij, manastiret e Luginës së Drinos u përfshinë në listën Watch List 2025 të World Monuments Fund, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare drejt nevojës për ruajtjen e tyre. Pas ekspozitave në Shqipëri dhe Francë, përfshirë prezantimin në Collège des Bernardins në Paris në vitin 2025, kërkimi i tij u thellua gjatë rezidencës së viteve 2024–2025 në Vila 31 – Art Explora në Tiranë. Atje, ai zhvilloi strukturën narrative të “Eagles and Angels” (Shqiponjat dhe Engjëjt), një botim në përgatitje që ndërthur fotografinë, kërkimin historik dhe tekstet. Përmes këtij projekti në zhvillim, Potez na fton të zbulojmë një peizazh pak të njohur, ku ndërthuren historia shekullore, besimi i qëndrueshëm dhe forcat e natyrës.

 

Ilir Tsouko - Përtej Shkatërrimit

Ilir Tsouko është një artist vizual, fotograf dokumentues dhe regjisor i lindur në Shqipëri, puna e të cilit eksploron tema që lidhen me formësimin e identitetit, migracionin, ndryshimet politike dhe ato klimatike. Projekti “Beyond Destruction” (Përtej Shkatërrimit) është zhvilluar në zonat e Greqisë të cilat në vitin 2023 u prekën nga një sërë fatkeqësish natyrore shkatërruese. Zjarre masive dhe përmbytje morën shumë jetë njerëzish, shkatërruan banesa dhe ndryshuan peizazhe të tëra, duke i lënë komunitetet të përballen me dhimbjen, humbjen dhe pasigurinë. Disa muaj më vonë, fotografi Ilir Tsouko dhe shkrimtarja Anja Troelenberg udhëtuan drejt këtyre zonave, në përpjekje për të kuptuar se çfarë mbetet pasi vëmendja e mediave zbehet. Ata u përballën me një paradoks të thellë: edhe në momentet më të errëta, katastrofat mund të nxjerrin në pah anët më të ndritshme të natyrës njerëzore. Fatkeqësitë nuk shkatërrojnë vetëm; ato zbulojnë realitetin e shoqërisë sonë, duke treguar se si përçahemi apo bashkohemi përballë së paimagjinueshmes. Përtej Shkatërrimit eksploron mbijetesën, fuqinë e komunitetit dhe qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor.

Projekti vazhdon tashmë me një kapitull të ri në Shqipëri, duke zhvendosur vëmendjen te periudha përpara se të ndodhë katastrofa dhe te puna shpesh e padukshme, e cila bëhet jetike në kohë krizash. Ai ndjek zjarrfikësit, ekipet e mbrojtjes civile dhe të tjerë që janë në vijën e parë të përgatitjeve, duke parashikuar rreziqet dhe duke u përgatitur për atë që mund të vijë.

 

Vlasov Sulaj - Qyteti si hapësirë e kundërshtimit

Vlasov Sulaj është një artist vizual dhe fotoreporter shqiptar, qasja eksperimentale e të cilit ndërthur fotografinë dokumentare me atë abstrakte, në kërkim të një gjuhe të veçantë vizuale. Puna e tij është vlerësuar ndërkombëtarisht përmes ekspozitave dhe çmimeve.

Protestat e drejtuara nga studentët në tetor 2026 në Tiranë, i shndërruan hapësirat publike në vende tubimi, kundërshtimi politik dhe kërkesash për përgjegjësi. Të mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit, Kryeministrisë, Sheshit Skënderbej dhe bulevardit kryesor, protestuesit i transformuan hapësirat e njohura urbane në vende të shprehjes kolektive dhe përballjes. Fasadat qeveritare, hyrjet e institucioneve dhe barrierat policore kornizuan këto përballje, duke nxjerrë në pah tensionin mes arkitekturës së pushtetit dhe mënyrës se si qytetarët e përjetojnë dhe e rimarrin hapësirën publike. Përmes imazheve të marshimeve, flamujve kombëtarë, barrierave policore dhe figurave të vetmuara përballë fasadave institucionale, Sulaj eksploron marrëdhënien në ndryshim mes njerëzve dhe mjedisit urban që i rrethon, duke reflektuar mbi dukshmërinë, pjesëmarrjen dhe të drejtën për të parashtruar kërkesa në zemër të qytetit.

 
Read More
Fotografet, Fotografia Kontemporane Alketa Misja Fotografet, Fotografia Kontemporane Alketa Misja

Wandrille Potez në tokën e Shqiponjave dhe Ëngjëjve

Ka vende që duket se ekzistojnë në një ritëm të ndryshëm kohor - ku e kaluara nuk qëndron si kujtim, por si një prani e gjallë. Për fotografin dhe studiuesin Wandrille Potez, Lugina e Drinos në Shqipëri është një vend i tillë. E fshehur midis maleve dhe grykave, lugina strehon një konstelacion kishash dhe manastiresh post-bizantine, shumë prej të cilave pak të njohura, disa pothuajse të harruara. Duke u endur nëpër shtigjet e saj me një aparat fotografik në dorë, Potez hyn në hapësira ku historia dhe njerëzimi bashkohen në heshtje, duke kapur fragmente të një bote aq të brishtë sa edhe të jashtëzakonshme.

 
 

Wandrille Potez

“SHQIPONJA DHE ËNGJËJ”

 

© Wandrille Potez

Dhuvjan, la fresque des saints cavaliers Dhuvjan.

The fresco of the holy riders Dhuvjan.

Kisha e Shën Kollit

Dropull Shqipëri, Shkurt 2025

Ka vende që duket se ekzistojnë në një ritëm të ndryshëm kohor - ku e kaluara nuk qëndron si kujtim, por si një prani e gjallë. Për fotografin dhe studiuesin Wandrille Potez, Lugina e Drinos në Shqipëri është një vend i tillë. E fshehur midis maleve dhe grykave, lugina strehon një konstelacion kishash dhe manastiresh post-bizantine, shumë prej të cilave pak të njohura, disa pothuajse të harruara. Duke u endur nëpër shtigjet e saj me një aparat fotografik në dorë, Potez hyn në hapësira ku historia dhe njerëzimi bashkohen në heshtje, duke kapur fragmente të një bote aq të brishtë sa edhe të jashtëzakonshme.

Puna e Potezit shpaloset si një udhëtim në territore të fshehura. Ai i afrohet këtyre vendeve jo si një vëzhgues i largët, por si një pjesëmarrës në historinë e tyre të vazhdueshme. Lentja e tij ndalet në afresket e braktisura, muret prej guri të gërryer dhe gjurmët delikate të përkushtimit - duke zbuluar si butësinë ashtu edhe qëndrueshmërinë e strukturave që kanë duruar shekuj ndryshimesh politike, neglizhencë dhe ekspozim mjedisor. Në Shqipëri, këto kisha janë më shumë sesa monumente: ato janë dëshmi të gjalla të besimit, qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së qetë të komuniteteve lokale që i kanë mbrojtur ato kundër të gjitha gjasave.

© Wandrille Potez

Dhuvjan, la nef de l’église Saint-Nicolas Dhuvjan, The nave of Saint Nicholas Church Dhuvjan, Kisha e Shën Kollit

Dropull, Shqipëri, Gusht 2023

Takimi i tij me trashëgiminë post-bizantine të Shqipërisë filloi në vitin 2017. Nga viti 2022 e tutje, udhëtime të përsëritura e çuan më thellë në Luginën e Drinos, ku manastiret shtrihen të shpërndara nëpër pyje, përrenj dhe shpate malesh. Shpesh të munguara në harta dhe të vështira për t'u aksesuar, këto vende zbulohen vetëm pas orësh - ose ditësh - ecjeje. Gjatë disa viteve, Potez u kthye përsëri në luginë, duke dokumentuar kishat e saj me syrin e një historiani arti, kuriozitetin e një gazetari dhe durimin e një fotografi.

Ai studion arkitekturën e tyre dhe deshifron shtresa të ndikimit bizantin, osman dhe latin, ndërkohë që vëzhgon jetën e qetë që vazhdon përreth tyre. Afresket që datojnë që nga shekujt e 16-të dhe 17-të rrëfejnë një jetë shpirtërore që i rezistoi fshirjes. Banorët vendas mbajnë rituale të vogla përkujtimi: një llambë vaji që ndriçon butë, një pjatë me ëmbëlsira të lënë për udhëtarët, ujë i derdhur në enët e shenjta. Këtu, përkushtimi dhe jeta e përditshme bashkohen pa probleme me natyrën - lakuriqët e natës pushojnë në qemerë të mbuluar nga hije, gjarpërinjtë ngrohen mbi gurë të çarë, akrepat tërhiqen nën tjegulla.

Kisha e Shën Nikollës ofron një shembull domethënës. Afresket e saj, të zbehta nga shekujt e ekspozimit, janë mbuluar pasi çatia është riparuar, megjithatë shenjat e kohës mbeten të dukshme, duke dëshmuar si për brishtësinë ashtu edhe për kujdesin. Vende të tjera, të tilla si Manastiri i Ravenës apo ai i Profetit Elia, ilustrojnë ndërthurjen e thellë të historisë, peizazhit dhe komunitetit. Ndërtesat e rrënuara të manastirit hapen drejt pamjes së gjerë të malit Çajup, ndërsa banorët aty pranë vazhdojnë të ruajnë atë që munden. Edhe në izolim, jeta vazhdon: kafshët banojnë në hapësirat e shenjta dhe melodia e largët e kopeve jehon nëpër lugina.

© Wandrille Potez

Mingul, les ruines du monastère de la Transfiguration Mingul, The ruins of the Monastery of the Transfiguration

Mingul, Kisha e Manastirit të Shpërfytyrimit

Lunxhëri Shqipëri, Gusht 2024


Praktika e Potez ndodhet në kryqëzimin e fotografisë, historisë së artit dhe gazetarisë, duke zhvilluar një traditë të gjatë të udhëtarëve dhe fotografëve francezë, të cilët, në shekullin e 19-të, dokumentuan peizazhet dhe monumentet e Ballkanit Osman dhe Lindjes së Mesme. Ashtu si ata vëzhgues të hershëm, ai kombinon vëmendjen e kujdesshme ndaj detajeve me një kuriozitet të thellë për historitë e ngulitura në ndërtesa dhe peizazhe. Megjithatë, puna e tij është e ankoruar fort në të tashmen, i vëmendshëm ndaj brishtësisë së vendeve të kërcënuara nga zhdukja. (1)

Ky angazhim ka patur tashmë një ndikim të prekshëm. Me iniciativën e Potezit, manastiret e Luginës së Drinos u përfshinë në Listën e Mbikëqyrjes 2025 të Fondit Botëror të Monumenteve - një hap vendimtar drejt mobilizimit të vëmendjes dhe fondeve ndërkombëtare për ruajtjen e tyre.

Fotografitë e prodhuara gjatë këtyre udhëtimeve janë prezantuar në disa kontekste. Në vitin 2024, Potez mbajti ekspozitën e tij të parë kushtuar Shqipërisë, duke u mbështetur në gjetjet e tij Hors Sentier. Puna e tij është shfaqur gjithashtu në projekte editoriale dhe ekspozita në Francë, në nefin e Collège des Bernardins në Paris në shtator 2025, ku kishat e Luginës së Drinos iu prezantuan një audience më të gjerë brenda një reflektimi më të gjerë mbi trashëgiminë evropiane të rrezikuar.

© Wandrille Potez

Saraqinisht, l’ermitage de Spilea Saraqinisht, The cave hermitage of Spilea Saraqinisht, Shpella e Manastirit të Spilesë

Lunxheri Shqipëri, Gusht 2023

Midis viteve 2024 dhe 2025, projekti hyri në një fazë të re përmes rezidencës së Potezit në Vila 31 – Art Explora në Tiranë. Kjo rezidencë i lejoi atij të thellonte kërkimin e tij, duke e ankoruar atë më fort në kontekstin lokal. Në Vila 31, ish-shtëpinë e diktatorit i cili 60 vjet më parë ndaloi fenë në Shqipëri, Potez rafinoi strukturën narrative të projektit, duke thurur së bashku imazhe, tekste dhe kërkime historike. Një botim titulluar “Shqiponjat dhe Engjëjt” është aktualisht në përgatitje, i konceptuar si një libër që sjell fotografinë dhe rrëfimin në një dialog të ngushtë.

Në luginën e Drinos, historia, përkushtimi dhe natyra ekzistojnë në një ekuilibër delikat. Puna e Wandrille Potez na fton të dëshmojmë këtë konvergjencë - dhe të njohim brishtësinë e saj. Në këtë tokë shqiponjash dhe engjëjsh, manastiret qëndrojnë si dëshmitarë të qeta të qëndrueshmërisë, besimit dhe fuqisë të shikimit të vëmendshëm.

© Atdhe Mulla, Exhibition “Eagles and Angels”  at Villa 31  during Wandrille Potez residency at Art Explora, Tirana, November 2025

© Atdhe Mulla, Ekspozita “Shqiponja dhe Ëngjëj” tek Vila 31 Rezidenca Art Explora, Tirana Shqipëri, Nëntor 2025‍ ‍


Të gjitha courtesy Wandrille Potez.

 


 (1) BIO: Wandrille Potez lindi në Poissy, Francë në vitin 1996. Pasi përfundoi studimet në Lycée Janson de Sailly, kërkimi i tij - i ndarë midis École Pratique des Hautes Études dhe Universitetit Paris Diderot - e çoi atë në Gjermani, ku u interesua për praninë e Orientit në dekorin sakson të fillimit të shekullit të 18-të. Me një diplomë master në histori krahasuese dhe qytetërime, Wandrille Potez punoi më pas si studiues në Qendrën e Kërkimeve të Château de Versailles, përpara se Qendra e Monumenteve Kombëtare t'i besonte një detyrë kuratoriale, në partneritet me Muzeun e Arteve Dekorative në Dresden. Midis viteve 2019 dhe 2023, ndërsa shkruante rregullisht për The Art Newspaper, Wandrille Potez bëri udhëtime të shumta në Ballkan, duke zgjedhur fotografinë si një mjet për të mbrojtur trashëgiminë e rrallë dhe të brishtë që zbuloi atje, në këmbë ose me biçikletë. Me sugjerimin e tij, kishat në Luginën e Drinos u shtuan në Listën e Vëzhgimit të Fondit Botëror të Monumenteve për vitin 2025.


Read More