The Voice of Albania
Që prej 31 majit, Revolucioni i Flamingove na ka mësuar t'a shohim ndryshe kohën. Rikthimi i përditshëm në të njëjtin shesh ka bërë që fotografimi të mos jetë thjesht regjistrim i një momenti, por ndjekje e një proçesi. Këmbëngulja e qytetarëve për të qenë të pranishëm dhe për t'u shprehur është fokusi i serisë "The Voice of Albania".
The Voice of Albania
nga Blendi Diverolli *
© Blendi Diverolli, The Voice of Albania
Fotografia dokumentare, si një formë e cila bashkon rrëfimin vizual me realitetin objektiv, është qasja që kam zgjedhur prej vitesh për të pasqyruar ngjarjet në të cilat shoqëria bëhet e dukshme — momentet kur gjithçka është në lëvizje: situatat, njerëzit, emocionet.
Që prej 31 majit, Revolucioni i Flamingove na ka mësuar t'a shohim ndryshe kohën. Rikthimi i përditshëm në të njëjtin shesh ka bërë që fotografimi të mos jetë thjesht regjistrim i një momenti, por ndjekje e një proçesi. Një ngjarje e vetme mund të përmblidhet lehtësisht në një shkrepje, ndërsa një lëvizje që zgjat kërkon diçka tjetër — besim, durim, qëndresë. Këmbëngulja e qytetarëve për të qenë të pranishëm dhe për t'u shprehur është fokusi i serisë "The Voice of Albania", e cila dëshmon një revoltë që nuk mbeti vetëm një shpërthim i çastit me slogane e pankarta, por është një kërkesë e vazhdueshme për t'u dëgjuar. Në një vend si i yni, ku mobilizimet sociale janë të rralla e jetëshkurtra, fakti që ky zë vijon të artikulohet pa ndërprerje për kaq shumë kohë, është në vetvete pjesë e historisë që po dokumentohet.
Në imazhe shfaqen fytyrat, mesazhet dhe simbolet e pjesëmarrësve në shesh, gjatë më shumë se tetëdhjetë ditëve. Në raste si ky, aparati fotografik bëhet një arkiv i asaj që gjuha e trupit shpesh e shpreh më mirë se çdo deklaratë. Kur ditët e revolucionit të bëhen histori, këto fotografi do të rrëfejnë jo vetëm çfarë ndodhi, por edhe çfarë u ndje. Prandaj çdo ditë e re në bulevard është edhe një shans për ta shtuar më tej këtë zë kolektiv që vazhdon të flasë.
* Blendi Diverolli
I lindur në Tiranë në vitin 1991, ai u diplomua në Financë, përpara se të zhvillonte gradualisht një interes për fotografinë si një mjet për vetëshprehje. Fillimisht, fotografia e tij ishte e orientuar drejt një qasjeje artistike, e karakterizuar nga ngjyra të gjalla dhe një kërkim i vazhdueshëm për simetri. Me kalimin e kohës, fokusi i tij evoluoi dhe, në përpjekje për ta përcjellë artin me një qëllim, ai u orientua drejt fotografisë dokumentare. Që nga viti 2020, ai ka dokumentuar ngjarje të ndryshme sociale, organizata të shoqërisë civile, urbex-in dhe jetën në disa prej zonave më të largëta të vendit, duke synuar gjithashtu të pasqyrojë mënyrën se si e kaluara urbane dhe kulturore e Tiranës vazhdon të bashkëjetojë me të tashmen e saj në transformim. Së fundmi, puna e tij është përqendruar te Revolucioni i Flamingove, një nga periudhat më të gjata të mobilizimit qytetar në historinë e vendit.