Mbi kërkimin artistik të Olson Lamaj

Olson Lamaj është artist vizual dhe fotograf me bazë në Tiranë. Ai ka studiuar Pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence dhe ka përfunduar studimet Master në Fotografi Artistike në Akademinë Brera të Milanos. Praktika e tij artistike eksploron marrëdhënien mes imazhit, ideologjisë dhe kujtesës kolektive, duke u përqendruar në mënyrën se si sistemet politike, sociale dhe kulturore ndërtojnë identitete dhe forma të përfaqësimit…

 
 

Olson Lamaj

Qyteti si ideologji, objekti si simptomë

 

© Olson Lamaj, Autoportret nga seria Between Pattern and Shadow

Olson Lamaj është artist vizual dhe fotograf me bazë në Tiranë. Ai ka studiuar Pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence dhe ka përfunduar studimet Master në Fotografi Artistike në Akademinë Brera të Milanos. Praktika e tij artistike eksploron marrëdhënien mes imazhit, ideologjisë dhe kujtesës kolektive, duke u përqendruar në mënyrën se si sistemet politike, sociale dhe kulturore ndërtojnë identitete dhe forma të përfaqësimit. Fotografia është mediumi kryesor i punës së tij, të cilin e ndërthur me kërkimin, botimet artistike dhe instalacionin për të ndërtuar rrëfime që lëvizin mes dokumentimit dhe interpretimit. Në veprat e tij, fotografia nuk shërben thjesht si dokumentim i realitetit, por si një gjuhë artistike që krijon narrativa poetike, ironike dhe herë pas here imazhe butaforike mbi përditshmërinë urbane.

Veprimtaria artistike e Lamaj zhvillohet paralelisht me angazhimin e tij në ndërtimin dhe promovimin e skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri. Nga viti 2012 deri në vitin 2017 ai ishte bashkëthemelues i MIZA Gallery, një hapësirë alternative e dedikuar promovimit të artistëve të rinj dhe krijimit të një platforme kritike për artin bashkëkohor në Tiranë. Olson Lamaj eshte themeluesi dhe editori i shtepise botuese Pararoja, një platformë e pavarur botuese që fokusohet në botimet artistike dhe publikimin e historive vizuale të artistëve përmes formatit të zine-ve dhe edicioneve të limituara.

Ndër projektet dhe ekspozitat e tij më të njohura janë Between Pattern and Shadow, Transitioning into Green, Holy Muscle, (Over)Identification dhe The Cat Above and the Mouse Below. Ai është fitues i çmimit Ardhje Award dhe ka marrë pjesë në rezidenca artistike ndërkombëtare në  Nju Jork, Vjenë  dhe Tirane. Punët e tij janë ekspozuar në institucione dhe galeri të ndryshme në Shqipëri dhe në Evropë.

Rreth serisë Between Pattern and Shadow

Between Pattern and Shadow është një seri fotografike që lind nga vëzhgimi i përditshëm i qytetit të Tiranës. Ajo mund të lexohet si një studim vizual mbi estetikën e tranzicionit post-socialist shqiptar, jo përmes ngjarjeve të mëdha historike, por përmes peizazhit urban, objekteve të zakonshme dhe gjurmëve që arkitektura dhe përditshmëria kanë lënë mbi qytetin.

Në fotografitë e Lamajt, qyteti nuk paraqitet si një peizazh monumental, por si një organizëm i ndërtuar nga fragmente. Vëmendja përqendrohet te ato elemente që zakonisht mbeten jashtë vështrimit: një karrige plastike e lënë në trotuar, një dritare e improvizuar, një gardh i shtrembër, një gomë makine, një zog i ngordhur mbi asfalt apo rrjeti i kabllove elektrike që mbulon fasadat. Këto nuk janë thjesht objekte të zakonshme; ato funksionojnë si simptoma të një shoqërie në transformim. Lamaj nuk mundohet te fotografoj monumentet turistike ose pejsazhin urban në qendër të qytetit, por i intereson jeta në periferi. Kjo qasje e afron praktikën e tij me një lloj arkeologjie të së tashmes, ku objektet më të zakonshme shndërrohen në dëshmi materiale të ideologjive që vazhdojnë të strukturojnë jetën e përditshme.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Shqipëria e tranzicionit nuk prodhoi një modernitet të pastër perëndimor, por një peizazh urban të përbërë nga shtresëzime historike, ndërtime informale, improvizime arkitekturore dhe mbetje të trashëgimisë brutaliste. Pikërisht ky territor kontradiktor përbën materien e fotografive të Lamajt. Brenda këtij kaosi urban ai kërkon të zbulojë një estetikë të përditshmërisë, duke treguar se edhe rastësia, improvizimi dhe papërsosmëria mund të krijojnë një gjuhë vizuale me identitet të veçantë.

Në këtë kuptim, qyteti nuk shfaqet përmes peizazheve heroike apo identitetit romantik kombëtar, por përmes fragmenteve të realitetit të përditshëm shqiptar. Kapitalizmi post-socialist ndërthuret me simbolikën nacionaliste; shqiponjat, yjet dhe ikonografia patriotike bashkëjetojnë me rrugë të papërfunduara, beton dhe ndërtime informale, duke krijuar një peizazh ku kontradiktat e tranzicionit bëhen të dukshme.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Kompozimet janë të qeta, frontale dhe të kontrolluara. Kjo distancë nuk synon neutralitetin, por krijon një mënyrë të caktuar leximi. Objektet fotografohen sikur të ishin artefakte arkeologjike, dëshmi materiale të një periudhe historike që vazhdon të prodhojë forma të reja të jetës urbane. Lamaj është i interesuar për mënyrën sesi elementet e qytetit krijojnë ritme vizuale aksidentale: kabllot vizatojnë kompozime abstrakte, hijet ndërpresin fasadat, ndërsa plastika, metali dhe betoni ndërtojnë marrëdhënie të papritura formale.

Fotografia nuk funksionon thjesht si regjistrim i realitetit, por si një mjet analize, përmes të cilit peizazhi urban lexohet si një strukturë kulturore dhe ideologjike.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Vetë titulli Between Pattern and Shadow përmbledh këtë marrëdhënie. “Pattern” nuk i referohet vetëm modeleve grafike që krijohen në sipërfaqen e fotografisë, por edhe strukturave të padukshme – politike, ekonomike dhe kulturore – që organizojnë jetën urbane. “Shadow”, nga ana tjetër, përfaqëson gjithçka që mbetet jashtë planifikimit: improvizimin, rastësinë, kujtesën dhe ato zona ku sistemi humbet kontrollin.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Between Pattern and Shadow nuk është vetëm një seri mbi Tiranën. Është një reflektim mbi mënyrën se si fotografia mund ta lexojë qytetin si një tekst kulturor, ku çdo objekt, çdo sipërfaqe dhe çdo gjurmë përmban histori të padukshme. Lamaj nuk fotografon qytetin për të treguar se si duket Tirana, por për të kuptuar se si historia, politika dhe ideologjia vazhdojnë të manifestohen në sipërfaqen e saj. Në këtë kuptim, peizazhi urban nuk është sfond i jetës sociale, por vetë forma materiale përmes së cilës historia vazhdon të shkruhet.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Intervistë me Olson Lamaj

Alketa Misja për Tatì Space: Përshëndetje z. Lamaj! Ju falënderojmë që pranuat ftesën për t'u intervistuar nga Tatì Space për të ndarë me lexuesit tanë mendimet dhe reflektimet tuaja mbi kërkimin dhe praktikën tuaj artistike.

Në seritë Between Pattern and Shadow ju ktheheni vazhdimisht te fragmentet e përditshme të qytetit. Çfarë ju tërheq drejt këtyre detajeve urbane dhe si e kuptoni marrëdhënien mes tranzicionit shqiptar dhe estetikës që prodhon qyteti?

Olson Lamaj: Prej vitesh e kam bërë zakon që, sa herë dal nga shtëpia, të marr me vete aparatin fotografik — edhe kur nuk jam i sigurt nëse do ta përdor. Kjo rutinë e vazhdueshme, e kombinuar me një vëmendje të tërhequr ndaj materialitetit të qytetit, më ka bërë që me kalimin e kohës të ndërtoj një arkiv personal të peizazhit urban në përditshmërinë e tij.

Ajo që më ka interesuar më shumë nuk është qyteti si imazh i përfunduar, as arkitektura si objekt më vete, por mënyra se si ai prodhohet përmes ndërhyrjeve të vogla, improvizimeve dhe gjesteve të përditshme. Në këto fragmente kam gjetur një estetikë të papritur, ku e vjetra dhe e reja nuk janë në konflikt të pastër, por bashkëjetojnë në mënyrë të çrregullt dhe shpesh kontradiktore.

Në këtë kuptim, tranzicioni nuk është vetëm një sfond historik, por një gjendje e vazhdueshme e qytetit, që prodhon vazhdimisht forma të reja vizuale — shpesh të papritura, por shumë domethënëse për mënyrën si e përjetojmë hapësirën ku jetojmë.

Tatì Space: Kabllot, plastika, rrethimet, betoni, kafshët endacake dhe strukturat provizore shfaqen shpesh në fotografitë tuaja si elemente qendrore të imazhit. Në vend që të mbeten thjesht detaje të rastësishme të peizazhit urban, ato lexohen si shenja të një realiteti më të gjerë social dhe ideologjik. Çfarë përfaqësojnë për ju këto objekte të zakonshme dhe pse mendoni se janë të rëndësishme për të kuptuar Shqipërinë post-socialiste?

Olson Lamaj: Këto objekte urbane janë, në një farë mënyre, materiali bazë nga i cili ndërtoj fotografitë e mia. Kabllot, betoni, plastika, rrethimet apo strukturat e përkohshme nuk i shoh thjesht si elemente të rastësishme të qytetit, por si gjurmë të mënyrës se si ai është ndërtuar dhe po vazhdon të transformohet. Ato janë një lloj “lënde e parë” vizuale, përmes së cilës mund të lexohet jo vetëm forma e qytetit, por edhe gjendja e tij sociale dhe historike.

Në të njëjtën kohë, një rol shumë të rëndësishëm në punën time kanë edhe kafshët endacake, zogjtë apo qenët që shfaqen në hapësirën urbane. Për mua ata janë si banorë të barabartë të këtij qyteti, pjesë e pandashme e tij. Shpesh kam një ndjesi empatie ndaj tyre, sikur në një mënyrë të heshtur gjej veten në praninë e tyre — në mënyrën si lëvizin, si përshtaten dhe si e përballojnë mjedisin urban.

Ka diçka shumë të pastër në këtë bashkëjetesë mes natyrës dhe qytetit, edhe kur ajo ndodh në kushte jo të favorshme. Në një farë mënyre, ato figura tregojnë një lloj rezistence të heshtur dhe aftësie për të gjetur vendin e tyre brenda kaosit urban. Dhe kjo ndjeshmëri, kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë me to, shpesh bëhet pjesë e mënyrës si unë e shikoj dhe e fotografoj qytetin.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Tatì Space: Kompozimet tuaja shpesh janë frontale, të qeta dhe me një distancë të dukshme emocionale. Në të njëjtën kohë, shumë prej fotografive krijojnë ritme grafike dhe marrëdhënie abstrakte mes formës, hijes dhe teksturës. Sa e shikoni fotografinë si dokumentim të realitetit social, dhe sa si një strukturë formale apo abstrakte vizuale?

Olson Lamaj: Kjo mënyrë e fotografimit tim mendoj se lidhet drejtpërdrejt me formimin tim artistik. Fakti që kam studiuar pikturë dhe vij nga një background vizual më ka bërë që të mendoj gjithmonë në terma kompozimi. Natyrshëm më lind nevoja për një organizim të saktë të elementeve brenda kuadrit, shpesh edhe një kërkim për një lloj “perfeksioni” kompozicional.

Kur jam përballë një subjekti, shpesh ndryshoj këndin e fotografimit derisa çdo element në kuadër të funksionojë brenda një strukture të vetme vizuale. Është një proçes shumë intuitiv, por njëkohësisht edhe shumë i kontrolluar — një lloj dialogu mes meje dhe subjektit.

Në këtë kuptim, fotografia për mua i afrohet ndërtimit të një tabloje. Elementet urbane si kabllot, telat apo strukturat arkitekturore shpesh i shoh si “penelata” brenda një pikture informale, ku qyteti vetë bëhet një lloj kanavace e hapur.

Tatì Space: Në punën tuaj shpesh bashkëjetojnë simbolet patriotike, reklamat, objektet kitsch dhe gjurmët e rrënimit urban, duke krijuar një ndjesi humori të heshtur dhe absurdi. Këto imazhe mund të lexohen si reflektime mbi mënyrën se si konsumizmi dhe identiteti kombëtar janë përthithur në realitetin shqiptar post-socialist. A e shikoni konsumizmin post-socialist si një formë të re ideologjie vizuale dhe çfarë roli luan ironia në ndërtimin e imazheve tuaja?

Olson Lamaj: Aspektet politike dhe sociale nuk janë një shtresë tematike në punën time, por një kusht strukturor i saj. Në kontekstin shqiptar, ku politika nuk funksionon si sfond, por si një regjim i përditshmërisë, edhe hapësira urbane bëhet një fushë ku ideologjitë materializohen në mënyrë të vazhdueshme përmes objekteve, mbetjeve dhe formave të ndërtuara.

Praktika ime kërkon të lexojë qytetin si një arkiv të hapur të tranzicionit, ku e kaluara dhe e tashmja nuk janë të ndara në mënyrë lineare, por bashkëekzistojnë si shtresa të mbivendosura. Peizazhi post-socialist nuk prodhon një rend të ri homogjen, por një ekonomi fragmentesh: struktura të braktisura, infrastruktura të papërfunduara dhe shenja të kapitalizmit të vonë që ndërhyjnë mbi njëra-tjetrën. Në këtë ndërthurje, objekti i zakonshëm nuk është neutral, por funksionon si simptomë e një sistemi historik dhe ideologjik në transformim të vazhdueshëm.

Në këtë kuptim, ajo që perceptohet si kaos urban nuk është mungesë rendi, por një formë e re racionaliteti vizual, ku ideologjia nuk artikulohet më përmes deklaratave, por përmes materialitetit të përditshëm. Humori dhe ironia, në këtë kontekst, nuk shërbejnë si lehtësim estetik, por si mekanizma distancimi kritik, që bëjnë të dukshme kontradiktat e brendshme të këtij regjimi vizual.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Tatì Space: Duket se praktika juaj nuk synon të ndërtojë rrëfime lineare, por të lexojë mënyrën se si pushteti, memoria dhe kultura materializohen në hapësirën urbane dhe në objektet e përditshme. A e shikoni fotografinë si një mjet që mund të zbulojë strukturat e padukshme sociale, politike dhe kulturore të një shoqërie?

Olson Lamaj: Po, në thelb fotografia ime mundohet pikërisht të bëjë këtë: të lexojë dhe të bëjë të dukshme strukturat që zakonisht mbeten të padukshme në përditshmëri. Nuk më intereson fotografia si regjistrim i drejtpërdrejtë i realitetit, por si një mjet për ta analizuar atë.

Në hapësirën urbane, pushteti, memoria dhe kultura nuk shfaqen në mënyrë të qartë apo narrative, por materializohen në forma të vogla, të shpërndara: në objekte, në ndërhyrje arkitekturore, në mënyrën si organizohet hapësira dhe si ajo përdoret. Fotografia më lejon t’i lexoj këto shtresa si një lloj teksti të hapur.Në këtë kuptim, imazhi nuk është vetëm një përfaqësim, por një mënyrë të menduari një instrument për të kuptuar realitetin përmes gjurmëve vizuale.

Tatì Space: Faleminderit Olson, Ju urojmë punë të mbarë në planet dhe projektet tuaja artistike.

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

© Olson Lamaj, from the series Between Pattern and Shadow

Read More